Botë

Putin: SHBA e NATO të tërheqin armët e sistemin raketor

28.05.2016 14:33

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Uashingtonin dhe NATO-n të ndalojnë vendosjen e sistemve të armëve dhe raketave...

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Uashingtonin dhe NATO-n të ndalojnë vendosjen e sistemve të armëve dhe raketave të sofistikuara pranë territorit rus, duke vënë në dukje se Moska ndjehet e kërcënuar dhe është e gatshme për të kundër vepruar.
 
Gjatë vizitës së tij dyditore në Athinë, Putin tha se tashmë nuk ka kërcënim bërthamor nga Irani, por sistemi raketor në Rumani ekziston dhe është kërcënim për Rusinë.  
 
Putin, i cili nuk ka specifikuar se si do të hakmerrej Rusia ndaj mbrojtjes raketore, mëtutje ka insistuar se Moska nuk po e ndërmerr hapin e parë, por vetëm po u përgjigjet lëvizjeve të Uashingtonit.
 
Moska për një kohë të gjatë thotë se krijimi i sistemit mbrojtës raketor të Shteteve të Bashkuara në Evropën Lindore, paraqet rrezik për sigurinë e Rusisë.
 
Putin nuk ka harruar edhe Ankaranë duke deklaruar se Turqia ende nuk ka dhënë shpjegime, jo vetëm qe rrëzoi avionin ushtarak rus, por edhe pse qëlloi pilotin dhe sipas tij, ky akt përbën një krim lufte.
 
Uashingtoni ka përsëritur disa herë se sistemet do t’i mbrojnë anëtarët e NATO-s nga raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi, veçanërisht nga shtetet e papërgjegjshme në Lindjen e Mesme.
 
Më 13 maj në Poloni kanë filluar punimet për seksionin verior të mburojës raketore mbrojtëse amerikane.
 
Një ditë më herët këto punime kishin filluar edhe në Rumani. Sistemi do të bëhet krejtësisht operacional në vitin 2018.