"EL CLASSICO"

“El Classico” e çmendur: Barcelona edhe më e çmendur, 4 gola Realit

24.03.2014 11:25

Në këtë mënyrë “katalunasit” fituan rivalin e tyre të përbetuar edhe për herë të dytë brenda këtij sezoni, ndërsa ajo çfarë është më me rëndësi, është fakti se janë kthyer në garë për titullin e kampionit në La Liga……..

Barcelona ka mundur Realin e Madridit me rezultatin 4:3 në një ndeshje fantastike të zhvilluar sonte në “Santiago Bernabeu”. Në këtë mënyrë “katalunasit” fituan rivalin e tyre të përbetuar edhe për herë të dytë brenda këtij sezoni, ndërsa ajo çfarë është më me rëndësi, është fakti se janë kthyer në garë për titullin e kampionit në La Liga.

Rikujtojmë Reali nuk dinte disfatë në 31 ndeshje rradhazi në të gjitha kompeticionet. Për herë të fundit skuadra “madrilene” ishte mundur më 26 tetor të vitit të kaluar, pikërisht nga Barcelona, që si duket është “tmerri” i tyre.

Ndryshe ndeshja e sontshme u zhvillua me një ritëm shumë të lartë, ku kontribuan aktorët e të dyja skuadrave në fushën e gjelbër.

Ishte Andres Iniesta ai i cili në minutën e 7-të shkaktoi një heshtje të madhe në “Santiago Bernabeu”, duke u treguar i pamëshirshëm për Realin dhe duke shënuar në rrjetën e Lopez për 1:0. Këtij goli i parapriu një assist i shkëlqyeshëm i Lionel Messit, i cili në fund doli të jetë edhe futbollisti vendimtarë në fitoren e “katalunasve”.

Megjithatë paraprakisht Karim Benzema u shndërrua në një hero te Reali, duke shënuar dy gola dhe duke kthyer rezultatin në favor të “mbretërve”. Golin e parë sulmuesi francez e realizoi në minutën e 20-të kur mjaft mirë shfrytëzoi assistin e Anhel Di Marias dhe me kokë mposhti Valdezin, ndërkohë golin e dytë personal e realizoi vetëm 4 minuta më pas, kur sërish shfrytëzoi assistimin e Di Marias, dhe kësaj rradhe me këmbë nga brendia e zonës shënoi edhe një herë tjetër në rrjetën e Viktor Valdezit.

Megjithatë këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar në këtë ndeshje, pasi Lionel Messi në tre minuta para fundit të pjesës së parë, pas një kombinimi të suksesshëm me brazilianin Nejmar, shënoi për barazim të rezultatit në 2:2. Ishte ky njëherit edhe rezultati i 45 minutave të para, ku të pranishmit në “Santiago BERNABEU” patën mundësinë të shohin një futboll mjaft cilësor, që i mungonte “La Ligës” dhe në përgjithësi futbollit evropian vite me rradhë.

Me të njëjtin ritëm të dyja skuadrat vazhduan edhe në pjesën e dytë, ndërsa kësaj rradhe të parët që shënuan ishin vendasit, të cilët përfituan një penalti të dyshimtë, duke pasur parasysh se starti i Dani Alvesh ndaj portugezit Ronaldo ishte jashtë zonës së rreptësisë.

Megjithatë kjo kishte pak rëndësi, pasi arbitri kryesor Undiano Malenko tregoi në pikën e bardhë, ndërsa një dhurratë të tillë Ronaldo nuk fali dhe në minutën e 55-të sërish kaloi në epërsi Realin, kësaj rradhe me rezultatin 3:2.

Pas këtij goli loja e Barcelonës u bë më agresive dhe më sulmuese, ndërsa pas një kundërzbritjeje të shpejtë në minutën e 65-të, Nejmar u ndal në mënyrë të palejuar nga ana e Serhio Ramos në zonën e rrezikut, me ç’rast Malenko  tregoi në pikën e bardhë, madje duke ndëshkuar me karton të kuq futbollistin vendas.

Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri Lionel Messi dhe nuk gaboi pasi ishte shumë i saktë, duke shënuar për 3:3.

Pas këtij goli loja e Barcelonës vazhdoi të jetë edhe më sulmuese, duke pasur parasysh se ishin më të numërt në fushën e gjelbër. Pas një aksioni nga e majta Andres Iniesta u vendos për një sulm individual duke u futur në zonën e rreptësisë, ku u ndal në mënyrë të palejuar nga Çabi Alonso dhe Marselo, me ç’rast arbitri Malenko në minutën e 84-të vendosi të akordojë edhe një penalti tjetër në favor të Barcelonës, të cilën në gol e shndërroi edhe njëherë tjetër Lionel Messi.

Ishte ky goli i tretë personal për Messin në këtë ndeshje dhe gjithsejë i katërti për Barcelonën, skuadër kjo e cila tashmë me 69 pikë dhe një gol-averazh fantastik prej +60 golash është në ndjekje të dyshes madrilene, Atletiko dhe Real Madrid, skuadra këto që kanë nga 70 pikë. (infOSport.mk)