Botë
Tiranë: Asambleja parlamentare e NATO-s, Bushati: NATO dyert e hapura edhe për Kosovën
28.05.2016 17:33
NATO vazhdon t’i ketë dyert e hapura për anëtarë të rinj...

Në këtë kuadër Kosova, sikurse edhe vendet e tjera në rajon, janë të mirëpritura në gjirin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Kështu theksoi ndër të tjera ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati në hapje të sesionit tre-ditor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që për herë të parë mbahet në Tiranë.
Në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë, Kosova përfaqësohet nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti. Kosova në këtë Asamble ka statusin e vëzhguesit që nga viti 2014.
“Anëtarësimi është me rëndësi jo vetëm për Aleancën dhe rajonin, por për mbarë kontinetin dhe stabilitetin sepse jo vetëm redukton zonat gri të sigurisë në rajon, por dhe ul ndikimin e aktorëve të tretë në rajon”, tha Ditmir Bushati, ministër i jashtëm i Shqipërisë.
Lidhur me zgjerimin e NATO-s dhe mundësitë e anëtarësimit të Kosovës, të Maqedonisë, Bosnjë e Hercegovinës, madje edhe Serbisë, u shprehën në një konferencë për shtyp presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Machael Turner dhe kreu i delegacionit të Shqipërisë në këtë Aleancë, Pandeli Majko
Sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të rishikojë mënyrën se si Aleanca e Atlantikut të Veriut i përgjigjet nivelit të sfidave me të cilat përballën aleatët, siç janë terrorizmi, çështja e Rusisë, konflikti në Irak dhe Siri, migrimi masiv si dhe përhapja e raketave dhe armëve të shkatërrimit në masë.
Për sa i përket luftës kundër terrorizmit, Shqipëria mori vlerësime të larta për pjesëmarrjen dhe kontributin e saj në çdo mision paqeruajtës të NATO-s në zonat e krizës në botë.
Ditën e hënë, Asambleja do të mblidhet në seancë parlamentare dhe pritët të miratojë agjendën si dhe tekstin e Rezolutës që do t’i paraqiten Samitit të NATO-s në muajin korrik në Varshavë.
LULJETA NDOKA
