Botë

Brioni: Liderët e rajonit për zgjidhje të përbashkëta

29.05.2016 15:26

Bashkëpunimi rajonal është I patjetërsueshëm, por fillimisht duhen hequr barrierat, sidomos ato ekonomike...

Kështu vlerësuan  liderët e vendeve të rajonit , që janë mbledhur në Sarajevë, ku për dy ditë diskutojnë cështje të rëndësishme, duke u munduar të gjejnë zgjidhje për sfidat e përbashkëta.
 
Në kuadër të Samitit 100, afaristët nga i gjithë rajoni i Ballkanit kërkuan  heqjen “e barrierave politike” në kuadër të fuqizimit ekonomik.
 
Liderët kërkuan përshpejtim të procesit integrues në BE dhe NATO për të gjitha vendet e ballkanit, edhe pse pranuan se procesi do të jetë I rëndë. 
 
“Duhet që të mbahet procesi i zgjerimit të BE-së përkundër krizës institucionale në vetë BEnë. Procesi Bërdo Brioni prandaj është i rëndësishëm, për shkak të çdo bashkëpunimi, që të mos rrënohet paqja dhe siguria në rajon, dhe çdo bashkëpunim është i rëndësishëm dhe duhet të bëhet çdo gjë që ekonomia të zhvillohet”, tha Borut Pahor, presidenti i Sllovenisë.
 
“Çështja e mirëbesimit të ndërsjellë është më e rëndësishmja por ajo nuk po ecën me shpejtësinë e duhur. Nuk është guxim ajo që liderët e Ballkanit bëjnë, të cilët mbyllen në botën e tyre virtuale dhe nuk pranojnë gabimet e tyre. Kjo nuk është rruga. Dhe të pranojmë dhe të ecim përpara”, tha Bakir Izetbegoviq, kryesuesi i presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës.
 
“Me rëndësi është ndërtimi i mirëbesimit dhe për këtë nuk është i mjaftueshëm vetëm vullneti. Duhet të ndërtojmë mekanizma. Në rajon tani mund të shohim një situatë më të mirë politike. Ky tani është rajon i së ardhmes, të gjitha vendet janë të përqendruara në integrimet evropiane. Tani duhet të përqendrohemi në korridorin adriatik-jon”, tha Bujar Nishani, presidenti i Shqipërisë.
 
"Ka shumë standarde dhe kritere të reja që janë të pakuptueshme dhe të pazbatueshme në rajon nëse nuk përmirësohet situata. Të gjithë e ndjejnë krizën në rajon, të gjitha vendet, të gjithë ne jemi vende shumëkombëshe dhe të gjithë i ndjejmë pasojat e asaj që po ndodh. Por më e rëndësishmja është që kemi filuar të bisedojmë”, tha Hashim Thaçi, president i Kosovës.
 
Për presidentin serb, Nikoliq, sfida më e madhe për Serbinë, është kapitulli 35 (normalizimi i plotë I mardhënieve me Kosovën).  Nikoliq u bëri thirrje vendeve që këtë rrugë drejt BE-së të mos e bëjnë më të vështirë për ato vende që më ngadalë përparojnë. 
 
MIGENA GORENCA