Botë

Kodheli: Shpëtoni ballkanin nga Rusia, Gjiknuri: Shqipëria, alternativa hidro dhe gazi për energjinë

29.05.2016 15:54

Në ditën e dytë të punimeve të Asamblesë parlamentare të NATO-s, fjalën kryesore e ka pasur ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli...

Në ditën e dytë të punimeve të Asamblesë parlamentare të NATO-s, fjalën kryesore e ka pasur ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila në deklaratën e saj përpara të pranishmëve ka folur kryesisht mbi sfidat me të cilat përballet sot aleanca, rreziqet kryesisht nga migrimi dhe terrorizmi, por edhe për kalimin nga regjimi i menaxhimit të krizave në atë të mbrojtjes kolektive, që nuk ka qenë i lehtë për këdo prej vendeve anëtare.
 
Sipas saj, “nuk është detyrë e lehtë të merresh me të tilla sfida, por nuk ka një zgjidhje të mesme”.
 
“Dështimi do të thotë copëzim i unitetit të kontinentit europian dhe fatkeqësisht, janë shumë ata që presin të ndodhë kjo gjë. Ne nuk duhet të harrojmë rajonet që lehtësisht mund të preken nga trazirat ndërkombëtare, për shkak të paqëndrueshmërisë dhe dobësisë së tyre. Ballkani Perëndimor është një prej tyre, relativisht larg nga Rusia dhe Lindja e Mesme, por i ndikuar kryesisht nga paratë, ideologjia e Moskës dhe fundamentalizmi. Ky rajon është udhëkryqi që bashkon Lindjen me Perëndimin. Në kohë të tilla, konflikte të tilla mund të parandalohen lehtësisht përmes proceseve integruese, sepse integrimi përhap stabilitet dhe siguri, si dhe ofron nxitje për vendet aspiruese që të ndërmarrin reforma demokratike”, tha Mimi Kodheli, ministre e mbrojtjes e Shqipërisë.
 
Një moment delikat në punimet e asamblesë ishin tensioned mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, për shkak të konflikteve të hershme gjeopolitike të tyre. Ministri Gjiknuri tha se këto tensione mund të ndikojnë në projektin e gazifikimit TAP. 
 
“Termocentrali i Vlorës do të lidhet në të ardhmen me gazsjellësin TAP, në mënyrë që të kthehet në pikë mbështetjeje të të gjithë bilancit tonë energjetik. Nga kjo pritet që të kemi interesa ekonomike më të mëdha nga portofoli ynë hidrik, sepse do të sheshim energji hidro në momentet pik dhe të përdorim përzierjen mes hidros dhe gazit si furnizim bazë për nevojat tona energjetike. Mendoj se është strategjia e duhur që po ndjek qeveria shqiptare me përfundimin e masterplanit të gazit dhe duke filluar më pas me krijimin e tregut të gazit në Shqipëri”, tha Damian Gjiknuri, ministër  i energjisë dhe industrisë i Shqipërisë.
 
Ministrja Kodheli ndërkohë, potencoi se Shqipëria është e gatshme që të dërgojë forca ushtarake të luftojnë në terren në Irak e Siri kundër ISIS. Kodheli bëri me dije se një anije ushtarake shqiptare do të marër pjesë në operacionin detar të NATO-s në Detin Egje, për të asistuar emigrantët që vijnë nga lindja e mesme.
 
LULJETA NDOKA