Botë

Përmbytje në Teksas, të paktën 3 viktima dhe shumë dëme materiale

29.05.2016 17:47

Juglindja e Teksasit po bën llogaritë me përmbytjet e shkaktuara prej shirave të rrëmbyer të këtyre ditëve...

Të paktën 3 vetë humbën jetën në Perëndim të Hjustonit, nga reshjet që kanë filluar që prej së enjtes. 
 
Uji mbuloi të gjithë zonën e ekipet e shpëtimit janë nisur me varka për të ndihmuar njerëzit e bllokuar në shtëpitë e tyre. Një prej viktimave u gjet i mbytur në rulotën e tij, ndërsa një tjetër, trupi i të cilit u gjet i pajetë në makinën që ia kishin rrëmbyer ujërat, besohet të ketë ndërruar jetë nga një atak në zemër.
 
Sistemi i fuqishëm i stuhive në Teksas solli, përveç vërshimit të shfrenuar të ujërave, edhe një tornado, që shkatërroi me dhjetëra shtëpi e çoi në evakuime personash e mbyllje rrugësh.
 
Edhe pse meteorologët parashikuan një pushim të kapriçove të motit përgjatë fundjavës, reshjet do të rikthehen në dhunshme në këtë zonë, duke nisur nga dita e martë.
 
Për Juglindjen e Teksasit, ky ka qenë një vit i tmerrshëm, pasi brenda vetëm dy muajsh ka pasur dy përmbytje madhore, kombinim ky që mund të ndodhë vetëm një herë në 500 vite.
 
REXHEP QAMILI