Irak–Falluxha, ushtria përgatitet për goditjen fatale ndaj ISIS-it
30.05.2016 09:45
Ushtria irakiane ka nisur fazën e fundit të operacionit për të rimarrë qytetin e Falluxhas, një prej bastioneve të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”...

Ofensiva e fundit vjen vetëm një javë pasi qeveria nisi përpjekjet për të shtënë nën kontroll qytetin e mbajtur prej xhihadistëve që prej vitit 2014.
Në Falluxha janë bllokuar rreth 50 mijë civilë, teksa vetëm pak qindra persona apo familje kanë mundur të zhvendosen.
Sipas Kombeve të Bashkuara, atje ka njerëz që po vdesin nga uria. Forcat ushtarake, përfshi edhe anëtarë të një njësie të specializuar antiterrorizmi, po përpiqen të hyjnë në qytet nga disa fronte njëherësh.
Por, ata janë duke hasur në pengesa të formave vetëvrasje kamikaze apo me autobomba, të cilat përdoren gjatë rezistencës së tyre nga luftëtarët xhihadistë. Udhëheqës ushtarakë kanë bërë të ditur se do të ketë një ndërprerje të luftimeve përpara se të nisë mësymja e qendrës së qytetit, në mënyrë që të lejojnë sa më shumë civilë të largohen prej andej.
Falluxha ra nën kontrollin e ISIS-it në janar të vitit 2014, në atë që përbënte një moment kyç në rritjen e “Shtetit Islamik”, kohë kur edhe deklaruan kalifatin në territoret e pushtuara në Irak dhe Siri. Falluxha së bashku me Mosulin përbëjnë dy prej qyteteve më të mëdha nën kontrollin e ISIS-it aktualisht.
