Maqedoni
Doracak me terme kundër dhunës së bazuar gjinore
30.05.2016 14:57
Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare prezantoi “Doracakun me terminologjinë për dhunë të bazuar gjinore, i cili do t’u shërbente gazetarëve dhe punonjësve medial”...

Doracaku përmban terminologji për dhunën e bazuar gjinore dhe udhëzime për përparimin e teknikave për njoftim nga ana e mediave për tema të ndryshme të dhunës familjare.
Ai përfshin 88 fjalë dhe terme si dhe këshilla për atë se si nëpërmjet raportimit të kërkohet përgjegjësi dhe thirrje për veprim të institucioneve përgjegjësie që të mos lejohet viktimizimi i mëtejmë i grave viktima.
“Muajve të fundit janë mbajtur disa seminare, në të cilat janë përpunuar forma të ndryshme të dhunës dhe se si duhet të raportojnë mediat për dhunën. Ky doracak në përmbajtje ka terme të mjaftueshme të definuara për të bërë dallimin, gazetarët të vazhdojnë t’a përdorin në raportimin e tyre dhe në këtë mënyrë të lehtësojnë punën e tyre.”- deklaroi anëtarja në Rrjetin kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare, Elena Dimushevska.
Natasha Dokovska nga Shoqata e Gazetarëve tha se doracaku paraqet bazë të mirë për të gjithë ata që duan t’a trajtojnë dhunën familjare, por edhe për sektorin joqeveritar që merret me këtë problematikë.
Projekti është financuar nga Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, me qëllim të mbështetjes së shoqërisë civile në Maqedoni.
GYLTENE SINANI
