Maqedoni
Rasti “Fabrika e letërnjoftimeve”, nesër vendimi gjyqësor ndaj Zahir Bekirit-Çaushit
30.05.2016 15:46
Zahir Beqiri–Çaush dhe vëllai i tij, Imer Beqiri, të akuzuar për aferën “Fabrika për letërnjoftime”, sot kanë dhënë fjalët e fundit të procesit gjyqësor kundër tyre...

Çaushi para Prokurorisë tha se nuk ka besim te kjo Prokurori, ndërsa Gjykatës nuk i beson jo për arsye se e ndjek në këtë rast, por sepse është i bindur se punon nën urdhra direkte të Qeverisë.
Ai gjithashtu ka theksuar se ka dëshmi me të cilat mund ta vërteton pafajësinë e tij dhe me të cilat mund të tregon se ku ka qenë në të gjitha datat të cilat janë në aktin e akuzës kundër tij.
Ndërsa vëllai i tij, Imer Beqiri, në fjalën e tij përmbyllëse tha vetëm se nuk ndjehet fajtor për këto aktakuza të cilat i ngarkohen.
Mirosllav Vujiq, avokati i të akuzuarve, në fjalimin e tij ka theksuar që Prokuroria Publike nuk ka arritur të dëshmojë se klientët e tij janë kryerës të veprave për të cilat akuzohen.
Sipas tij, gjykimi i vëllezërve paraqet vetëm vazhdim të teatrit, i cili e ka ndjekur lëndën që nga fillimi.
“Nga dëshmitë nuk del asnjë pikë nga akuza me të cilën ngarkohet. Vetë mënyra e sigurimit të këtyre dëshmive është e kundërligjshme. Gjykatësi i procedurës paraprake për shkak të gjërave të këtilla nuk lejonte urdhra dhe ato urdhra Prokuroria Speciale as që i shfrytëzonte. Nëse kjo është sipas ligjit dhe nëse punojmë sipas ligjit të njëjtë, kjo duhet aplikuar edhe në rastin konkret.”- deklaroi avokati, Mirosllav Vuiç.
Por, prokurorja, Natasha Goxhovska, ka theksuar se dëshmitarët e dëgjuar dhe provat materiale të dëshmuara pa dyshim i vërtetojnë veprat për të cilat ngarkohen të akuzuarit.
Vendimi nëse Çaushi dhe vëllai i tij janë apo jo fajtorë do të shpallet nesër nga ana e trupit gjykues.
BESIM ABDULLAI
