Maqedoni

Tërheqja e faljeve për 22 persona, PSP pret t’i dorëzohen vendimet

30.05.2016 16:45

Prokuroria Speciale është në pritje të dorëzimit të vendimeve për tërheqjen e faljes për 22 persona nga ana e presidentit, Gjorge Ivanov...

Nga institucioni i Katica Janevës thonë se janë të njoftuar me veprimin e presidentit, por presin që vendimin për tërheqjen e faljeve ta kenë në duar.
 
“Zyrtarisht nuk i kemi marrë vendimet e presidentit që të mund çdo person të dyshuar të lidhim me lëndën konkrete”, thonë nga Prokuroria Speciale.
 
Prokuroria Speciale në vijim do të vendosë se si tërheqja e faljeve do të ndikojë në hetimet e tyre. Thuhet se hetimi mund të vazhdojë për personat që është tërhequr falja për rastet “Titanik”, “Tortura”, “TNT”, “Kalaja”, por jo edhe për personat që mbetën të falur.
 
Kjo hap dyshimet për komplikim të punës së Prokurorisë Speciale. Nuk anashkalohet mundësia që Prokuroria Speciale të zgjerojë hetimet në mbledhjen e dëshmive të reja për vërtetimin e fajit. 
 
Presidenti Ivanov të premten tërhoqi faljet për 22 figura politike. Emrat e figurave politike ndaj të cilëve është tërhequr falja u publikuan edhe në gazetën zyrtare.
 
Në mesin e tyre renditen emrat e liderëve partiak të VMRO–DPMNE –së, Nikolla Gruevski, LSDM-së, Zoran Zaev, PDSh-së, Menduh Thaçi, ish ministrave, Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Kirill Bozhinovski.
 
Për 34 të tjerë vazhdojnë abolimet. Sipas Ivanovit, edhe për këta persona mbetet e hapur mundësia që të shtrojnë kërkesa për t’i tërhequr faljet.
 
MERAL ISMAILI