Maqedoni

Iljaz Halimi nisi fushatën nga Çairi

24.03.2014 18:16

Kandidati presidencial i PDSH-së, Iljaz Halimi, në kuadër të fushatës së tij, ka filluar sot takimet me qytetarët në Shkup...

Kandidati presidencial i PDSH-së, Iljaz Halimi, në kuadër të fushatës së tij, ka filluar sot takimet me qytetarët në Shkup. Halimi gjatë takimit me qytetarët, theksoi se pret mbështetje të fuqishme pavarësisht përkatësisë etnike. 
 
“Pres mbështetje të fuqishme jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga bashkësitë tjera etnike, besoj se qytetarët në përgjithësi më njohin, kam qenë 4 vjet nënkryetar parlamenti , 4 vjet deputet, 2 vjet zëv/ministër i Mbrojtjes, kështu që kam pasur mundësinë që të kontaktoj dhe të më njohin me shumë qytetarë të bashkësive të ndryshme etnike, ashtu që për mua kam dëgjuar fjalë miradie për punën time, për paanshmerinë qoftë në baza etnike ose të tjera dhe mendoj se mund t’i përfaqësoj në mënyrë të denjë të gjithë qytetarët nëse arrij të bëhem kryetar shteti”, deklaroi Iljaz Halimi nga PDSH.
 
Kreu i partisë, Menduh Thaçi, krahas aktiviteteve të prezantimit të kandidatit presidencial, ai në selinë qëndrore të partisë, realizoi takim edhe me shefin e misionit mbikëqyrës të OSBE-ODIHR, Gert Arens. Sipas zëdhënësit të PDSH-së, Luan Tresit, në këtë takim Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke theksuar se PDSH pa dëshirën e saj ka qenë e përjashtuar nga dialogu për miratimin e kodit zgjedhor.
 
“PDSH ka qenë e përjashtuar nga dialogu për miratimin e kodit zgjedhor pa dëshirën e saj, gjithashtu në të njëjtën kohë e quajti hipokrizi të orës së parë betejen e BDI-së  për 50 maqedonasit e Pustecit , ndërsa në anën tjetër me miratimin e kodit zgjedhor, ku në njësinë zgjedhore 6 dhe 2, ku janë më tepër shumicë shqiptare, janë të përjashtuar diku rreth 40 000 mijë votues në dallim prej njësisë 3 dhe 4, ku shumica janë votues maqedonas”, theksoi Luan Tresi nga PDSH.
 
PDSH edhe  gjatë fushatës  vazhdoi me akuzat për korrupsion në adresë të BDI-së, ku kësaj radhe ka akuzuar ministrin e Pushtetit Lokal, Tahir Hanin, duke e pyetur atë se për cilat shërbime mujore ministri Hani i ka ndarë rreth 800 euro Musliut. 
 
“Pyesim publikisht Tahir Hanin, të njëjtën pyetje që ia parashtruam Talatit për Ermirën, cilat janë ato shërbime për të cilat paguhet ky Musli Musliu me këtë kontratë. Është kontributi i tij i deritanishëm për rezultatet koreano-veriore në zgjedhjet kërçovare”, u shpreh Zija Jonuzi nga PDSH.
 
Kandidati i PDSH-së për president, Iljaz Halimi, tubimin e parë promovues të fushatës së tij, e ka mbajtur para banorëve të Çairit. (Zejxhane Osmani, TVM2)