Maqedoni

Althauzer: Tërheqja e faljes duhet të jetë gjithëpërfshirëse

30.05.2016 17:24

Të gjitha partitë politike duhet të punojnë së bashku për t’a nxjerrë vendin nga kriza politike, ka deklaruar ambasadorja e Gjermanisë, Kristinë Althauzer...

Ndërkaq, sa i përket vendimit të presidentit Ivanov për tërheqje të pjesërishme të abolacionit, Althauzer thekson se duhet të bëhet tërheqje gjithëpërfshirëse dhe jo parciale.
 
Prononcimin ambasadorja gjermane e bëri pas promovimit të projektit “Futboll pa kufi” në Federatën e Futbollit të Maqedonisë. 
 
“Të gjithë politikanët duhet patjetër të punojnë që të vijnë deri në zgjidhjen e kësaj krize serioze në Maqedoni. Shembulli ynë i sotëm për lojën e futbollit është shembull i mirë për situatën e përgjithshme politike. Ndërkaq, sa i përket vendimit të presidentit Ivanov të sjellë më 12 prill, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe qartë të bëhet tërheqja e abolimit.”- deklaroi  ambasadorja gjermane në vend, Kristine Althauzer.
 
Ndërkaq, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili po merr pjesë në Kuvendin politik të Partisë Popullore Evropiane në Strasburg, është takuar me eurokomisarin për zgjerim, Johanes Hahn, dhe me disa eurodeputetë, por nuk zbardhi detaje rreth temës së takimit.
 
“Me rastin e këtij manifestimi është me interes të marrësh pjesë, sepse jep mundësi për të realizuar numër të madh takimesh, kontakte, biseda me shumë persona me të cilët mund të shkëmbehen  informacione, veçanërisht  informacione që janë me rëndësi për Maqedoninë.”- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Në takimin parlamentar të Partisë Popullore Evropiane pritet të diskutohen tema të rëndësishme me rëndësi botërore, përfshirë këtu edhe problemet politike të vendeve anëtare të BE-së, si dhe të vendeve tjera aspirante, ku bën pjesë edhe Maqedonia.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU