Maqedoni

LSDM: Gruevski pranoi ndryshimin e emrit; VMRO: Akuzat e LSDM-së, dëshmi për frustrim nga Gruevski

30.05.2016 18:12

LSDM dhe VMRO-DPMNE janë përplasur sot rreth kontestit me emrin e shtetit...

LSDM me anë të një komunikate me shkrim akuzoi se ish-kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ka pranuar ndryshimin e emrit të shtetit.
 
Në kumtesë thuhet se në vitin 2008 Gruevski si kryeministër është pajtuar me emrin e Maqedonisë.
 
“Edhe vetë Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE, si ministër i Punëve të Jashtme, në një letër të dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, pranoi se e kanë pranuar propozimin për ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë (Shkupi), por këtë propozim e ka refuzuar Greqia”, theksohet në kumtesë. LSDM-ja thekson se kjo është konfirmuar edhe në dokumentet që i publikoi “Uikiliks”, si dhe në bisedimet e përgjuara nga projekti “E vërteta për Maqedoninë”. 
 
Por, në reagimin e VMRO-DPMNE-së vlerësohet se akuzat e LSDM-së kanë tregues se ata janë të opsesionuar dhe frustruar nga Gruevski.
 
“Frustracionet në LSDM nga Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE janë aq të mëdha, saqë në secilin njoftim përmendin dhjetë herë, ka një herë për të gjitha ciklet zgjedhore me radhë që po i humb LSDM-ja nga VMRO-DPMNE-ja në njëmbëdhjetë vite. As Nikolla Gruevski e as VMRO-DPMNE-ja nuk kanë bërë tregti, e as që do të tregtojnë me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.