Maqedoni
Dita ndërkombëtare kundër tuberkulozit
24.03.2014 18:21
Dita ndërkombëtare kundër sëmundjes së Tuberkulozit, 24 marsi, u shënua edhe në Maqedoni...

Dita ndërkombëtare kundër sëmundjes së Tuberkulozit, 24 marsi, u shënua edhe në Maqedoni. Me këtë rast u theksua se të gjithë pacientët në Maqedoni kanë qasje në shërbimet shëndetësore, ilaçe falas për Tuberkulozin dhe trajtimin e lirë.
Poashtu janë siguruar fonde për diagnostifikim në kohë dhe për përmirësimin e kushteve për shërimin e pacientëve. Por ekspertët shëndetësor vlerësojnë se vaksinimi mbetet akoma masa më preventive për foshnjat e posalindura. Në situatë më të vështirë në Maqedoni janë burgjet, ku janë konstatuar 8 raste me këtë sëmundje.
“Sa u përket burgjeve, në vitin 2013 janë zbuluar 8 raste nëpër gjithë burgjet e Maqedonisë, për dallim prej vitit tjetër që ishte zbuluar vetëm një rast dhe kjo u bë falë skriningut me fluorobusin e ri që ishte blerë ne vitin 2013”, theksoi drejtoresha e Institutit për TB, Biljana Ilievska Popovska.
“Maqedonia, vetëm për tuberkulozin nga Fondi Shëndetësor Botëror ka marrë 28 milion dollarë. Ajo që është bërë gjatë këtyre viteve në Maqedoni, është gjetja e rasteve të reja të tuberkulozit dhe marrja e masave preventive nga rastet tjera eventuale me tuberkuloz”, u shpreh koordinatori nacional, Hristijan Jankullovski.
Në Maqedoni, në vitin 2013, janë regjistruar 323 raste të reja të tuberkulozit, krahasuar me vitin 2012, ky numër është ulur për 32 raste më pak, kjo u tha me rastin e ditës botërore të tuberkulozit.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë ka rreth 353 mijë raste të reja të tuberkulozit dhe 35 mijë prej tyre kanë vdekur. Në shekullin e fundit, është zvogëluar për 5 % numri i të sëmurëve që lëngojnë nga kjo sëmundje.
Sipas OBSH-së, që nga viti 2011 dhe deri në vitin 2015 punohet në një plan aksionar, i cili ka për qëllim luftën kundër tuberkulozit.
OBSH-ja u bën thirrje shteteve evropiane, që ta intensifikojnë përpjekjen deri te qëllimi, që është eliminimi i tuberkulozit në nivel global deri më vitin 2050. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
