Maqedoni
Ahmeti takon ambasadorin Hysa, temë diskutimi zhvillimet e fundit në vend
30.05.2016 18:35
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka qëndruar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, ku është takuar me ambasadorin, Ylber Hysa...

Ahmeti dhe Hysa kanë diskutuar për situatën politike në vend, si dhe marrëdhëniet midis Shkupit dhe Prishtinës.
Lideri i BDI-së, Ahmeti, e informoi ambasadorin Hysa për hapat e subjektit në drejtim të zgjidhjes së krizës politike nëpërmjet rikthimit të parlamentit dhe anulimit të zgjedhjeve.
Njëkohësisht, BDI inicioi ndryshimin e Ligjit për falje, ndërsa angazhohet edhe për punë të papenguar të Prokurorisë Speciale.
Ahmeti theksoi që tërheqja e faljes nga Ivanovi vetëm për 22 persona nuk është e mjaftueshme, por është hap në drejtim të duhur, i cili duhet të plotësohet edhe me emrat e tjerë nga lista e të falurve.
Kryetari Ahmeti ka folur me ambasadorin Hysa edhe për reformat që rrjedhin si obligim nga rekomandimet e BE-së dhe të PRIBE-së, duke theksuar pritjen e përfshirjes së opozitës në këtë proces.
“Rikthimi i stabilitetit dhe sigurisë ishte prioritet imediat për BDI-në, ndërsa tash, pas kthimit të Kuvendit, do të angazhohemi për agjendën reformuese që do të mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme parlamentare”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
