Botë

Franca nën ujë, rrezik edhe për Gjermaninë

03.06.2016 18:47

Niveli i lartë i ujit në lumin Sena ka tejkaluar nivelin normal, duke shkaktuar përmbytje në qytetin parisien...

Muzetë me famë botërore, Louvre dhe Orsay, janë mbyllur sot në mënyrë që stafi të zhvendos gjërat e vlefshme në një vend më të sigurt, shkruan BBC.
 
Përmbytjet në Francë dhe në Gjermani kanë lënë të paktën 11 të vdekur, ndërsa mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
 
Presidenti francez, François Hollande, i cili tha se moti ishte një fenomen serioz i ndryshimeve klimaterike dhe një sfidë botërore, pritet që të shpallë gjendjen e katastrofës natyrore në zonat e goditura më rëndë, diçka që do t’i hapë rrugën fondeve të emergjencës. 
 
Në Paris, ndërkohë, janë ndërtuar barrikada emergjence përgjatë Senës për t’u përballur me furinë e lumit. 
 
Situatë e rëndë edhe në Gjermani, ku janë shënuar shumica e viktimave të motit të keq në Evropë, 9 prej tyre, ndërsa disa të tjerë janë shpallur të humbur. 
 
Meteorologët, ndërkohë, kanë parashikuar reshje të dendura gjatë fundjavës në Evropë, duke dhënë alarmin se situata emergjente nuk ka kaluar ende.