Maqedoni
Gjorge Ivanov nisi fushatën nga Ohri
24.03.2014 18:24
Çështja e hapur me Greqinë për emrin, euro-integrimet e vendit në NATO dhe BE dhe respektimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare...

Çështja e hapur me Greqinë për emrin, euro-integrimet e vendit në NATO dhe BE dhe respektimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare, janë temat kyçe me të cilat do të garojë në këto zgjedhje presidenciale kandidati i VMRO DPMNE–së, Gjorgje Ivanov.
Ai e kërkon mandatin e dytë nga qytetarët, duke theksuar se nuk harron interesin dhe vlerat kombëtare. Nuk do të pranon asnjë ide dhe ofertë, e cila do të rrezikonte identitetin kombëtar maqedonas.
“Si president i shtetit, asnjëherë nuk do të lejoj që të zgjidhet problemi të cilin e ka imponuar Greqia, pa i pyetur paraprakisht qytetarët në referendum. Do të insistoj te bashkëpunëtorët tanë në NATO, ta respektojnë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare. Maqedonia po udhëheq politikë të një fqinjësie të mirë. Gjithmonë po theksoj se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë rrugë dy kahëshe. Qëndrimi ynë është i qartë, të gjitha çështjet e hapura do t’i zgjidhim me dialog. Si president i shtetit me kulturë shumë dimenzionale, do të vazhdoj të promovoj dialogun, modelin e Maqedonisë për bashkëjetesë. Do të promovoj poashtu edhe një etapë të re edhe në bashkëpunimin rajonal. Është koha e fundit të fillojnë projekte konkrete dhe të jepen rezultate konkrete, siç është ideja e përfundimit të magjistrales së Adriatikut dhe lidhshmërinë e tij me korridorin 8, të bëhet realitet. Si gjithmonë edhe në të ardhmen do të vazhdoj të marr pjesë në forume që do organizohen në nivele botërore, ku interesat e Republikës së Maqedonisë do të mbrohen dhe të promovohen. Jemi të hapur dhe jemi të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim, por asesi nuk do lejoj të flitet dhe të vendoset për ne, pa përfshirjen tonë”, u shpreh kandidati për president, Gjorgje Ivanov.
Por përveç kësaj, Ivanovi theksoi arritjen ekonomike e vendit dhe kushtet që ofrohen për hapjen e bizneseve dhe me diplomacinë ekonomike për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e standardit të qytetarit.
“Zhvillimi ekonomik i Maqedonisë dhe rritja ekonomike e këtij vendi, do të mbeten edhe më tej prioritet për mua. Duke iu falënderuar angazhimit reformues që është dhënë deri më tani, Qeveria arriti të bëjë Maqedoninë të njohur në botë dhe të njihet si një destinacion i volitshëm për hapjen e bizneseve të reja. Maqedonia u bë një ndër vendet më të mira reformuese në botë dhe në Evropën Juglindore...”, shtoi Gjorgje Ivanovi.
Programi i tij presidencial përfshin 20 shtylla, ndërsa shtylla e parë ka të bëjë me angazhimin për unitet shtetëror. Përveç kësaj, Ivanovi premtoi se do punojë në favor të të gjithëve dhe do t’i përkushtohet bashkëjetesës multietnike dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke u respektuar të drejtat dhe obligimet që dalin nga ajo.
Ai do të angazhohet që të jetë i hapur për të gjithë dhe për dhënien e mundësive që edhe të rinjtë të arrijnë suksese. (Rexhep Qamili, TVM2)
