Maqedoni

Banorët e Rakovecit në protesta: Po na e masakrojnë pyllin, autoritetet mohojnë

03.06.2016 18:52

Banorët e fshatit Rakovec të Komunës së Bogovinës kanë protestuar para zyrës së ndërmarrjes “Pyjet e Maqedonisë” në Tetovë, duke akuzuar punëtorët e saj se po keqpërdorin pyjet e fshati Rakovec...

Sipas banorëve, që  nga viti 2007 e deri më sot janë prerë mbi 100.000 m3 drunj. Banorët e revoltuar thonë se edhe përkundër kërkesave që kanë bërë vitet e kaluara për ndërprerjen e kësaj prerjeje masive, asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim edhe pse disa herë bashkësia lokale i është drejtuar me ankesa zyrës rajonale të “Pyjeve të Maqedonisë”. Kërkesat e tyre i bënë publike edhe sot.
 
“Ndalim i prerjes totale të drurëve, gjegjësisht zhveshjes totale të pyjeve, ndalim i transportit të drunjve jashtë vendbanimi tonë, marrja e përgjegjësisë së autorëve të krimit që nga viti 2007 e deri më sot. Të merren masa adekuate për personat të cilët kanë kryer veprën, gjegjësisht rojtarët e pyllit. Në të ardhmen pagesa e drunjve të bëhet nëpërmjet Bashkësisë Lokale dhe të caktohet niveli i njëjtë i pagesës për metër kub, ashtu si edhe në vendbanimet tjera të RM-së ku jetojnë popullata maqedonase.”- deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Rakovec, Ramdan Xhelili.
 
Protestuesit kërkojnë që të heqin dorë nga prerja  pyllit të tyre, pasi është buka e tyre dhe pasuria e gjithë fshatarëve.
 
“Do vazhdojmë të protestojmë se kjo është në dëmin tonë, kjo është pasuria jonë, ne aty jetojmë dhe kërkojmë që kjo pasuri e jona të mbrohet dhe të mos keqpërdoret. Ne kemi qenë edhe tek drejtoria, mirëpo këta me fjalë theksojnë se nuk lejohet, por ata rojtarët e pyllit që janë, që punojnë në bashkëpunim më këta, edhe pse thonë ata se jo, nuk është e vërtetë. E trilluan nga Ministria e Pylltarisë se ky mal është i sëmurë dhe ky mal duhet të pritet, se infektohet edhe pjesa tjetër. Por, sikur duket, nuk është i sëmurë pylli, por janë të sëmurë këta, se këta janë të sëmurë në kokë, që e presin malin në atë mënyrë.”- tha një banor i Rakovecit.
 
“Para disa viteve u  paraqit se Mali Sharr do të jetë Park Nacional, kurse ai Park Nacional pritet në zero, edhe kjo është mëkat për ne.”- tha një banor i Rakovecit.
 
“Mali pritet, kur vijnë votat, si lypës vijnë thonë votën na jep. Një deputet nuk vjen në fshat të pyes për hallin e fshatarëve. Jepen subvencione për t’i ngrënë vet, atje thonë ruani blegtorinë, njërën tjetrën, a këndej vinë dhe e presin edhe malin edhe farën e bukës janë në gjendje të vinë ta marrin.”- u shpreh një banor i Rakovecit.
 
Nga Njësia Territoriale e Pyjeve të Maqedonisë “Leshnic” në Tetovë theksuan se  gjithë  prerja e drunjve bëhet sipas rregullave.
 
“Problemi nuk ekziston dhe prerje masive nuk ka.”- deklaroi përgjegjësi i saj, Toni Ivanovski. Por, protestuesit thonë se pyjet po masakrohen dhe paralajmëruan se nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, ata do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me protesta më masive.
 
VISAR SADIKI