Maqedoni
Prokuroria Speciale Publike: Ivanov të tërheqë të gjitha abolimet
03.06.2016 18:52
Prokuroria Speciale po kryen shtatë hetime në të cilat janë të përfshirë 60 persona të dyshuar...

Pjesa më e madhe e këtyre procedurave kanë të bëjnë me hetime financiare dhe nevojitet më tepër kohë për t’u mbledhur materiali dëshmues. Personat e përfshirë në krim, përveç padisë penale, do të mbartin edhe përgjegjësi materiale, sepse të gjithë janë të barabartë para Ligjit dhe Kushtetutës, tha mes tjerash prokurorja, Lençe Ristovska.
“Prokuroria Speciale po kryen shtatë hetime në të cilat janë të përfshirë 60 persona të dyshuar. Por, numri i procedurave parahetimore rritet në vazhdimësi. Nuk mundemi të japim më shumë informacione lidhur me procedurat tona, megjithëse punojmë vazhdimisht. Pjesa më e madhe e punës është e fokusuar në hetimet financiare, por materialet kërkojnë kohë që të mblidhen dhe të analizohen.”- deklaroi prokurorja në PSP, Lençe Ristovska.
Prokuroria Speciale vazhdon hetimet, por puna e saj po pengohet nga abolimet e presidentit. PSP pret që presidenti të tërheqë të gjitha faljet dhe kjo do t’i linte hapësirë speciales, të veprojë në përputhje me ligjet për hetimin e lëndëve. Në listën e të aboluarve kishte persona të dyshuar, dëshmitarë dhe njerëz të cilët deri atëherë nuk ishin as të dyshuar e as dëshmitarë. Presidenti ka aboluar pesë persona të dyshuar në rastin “Titanik”, gjashtë për rastin “Tortura”, dy për rastin “TNT”, tre në rastin “Fortesa” dhe dy persona për rastin “Puç”.
“Abolimet e pjesërishme e vështirojnë zbatimin e drejtësisë, sepse kemi qasje selektive. Duhet të na mundësohet që ne të kemi qasje joselektive, t’i kemi duart e lira, që të mund ne t’i realizojmë hetimet. Afatet ende nuk kanë kaluar dhe ne shpresojmë që kryetari do t’i plotësojë obligimet kushtetuese dhe do ta tërheqë plotësisht faljen që Prokurorisë Speciale t’i lejojë që ta kryej punën e saj. Duhet të mos ketë të drejtë selektive.”- tha prokurorja në PSP, Lençe Ristovska.
Sa i përket rastit “Krpaç”, nga PSP as sot nuk deshën të jepnin detaje, por ripërsëritën se ai ka qenë dëshmitar i Speciales. Sipas kësaj Prokurorie, Krpaç është ankuar se ka kërcënime për jetën e tij.
Nga PSP, ndërkohë, ende nuk kanë nisur hetimet për rastin “Monstra”. Sipas tyre, në shtator do të nisin me punë në zyrat e reja, me një softuer të ri, i cili do t’u ndihmojë të analizojnë të gjitha bisedat e përgjuara. Pra, në shtator, sipas PSP-së, opinioni do të marrë përgjigje për më shumë pyetje.
SANIJE DURAKU
