Botë

Mbledhja e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, Rama-Mustafa: Bashkim nën flamurin e BE-së

03.06.2016 18:55

Kosova dhe Shqipëria përforcojnë bashkëpunimin edhe me shtatë marrëveshje të reja, të nënshkruara në kuadër të takimit të tretë të përbashkët mes dy qeverive...

Përkushtimi për të qenë së bashku në rrugën e progresit është kërkesë e dy qeverive, por edhe e rajonit, deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, dy qeveritë kanë për obligim moral dhe kombëtar të përkujdesen edhe për shqiptarët jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. 
 
“Ju dëshirojmë mirëseardhje në shtëpinë tuaj. Ju uroj të gjithëve me dëshirën se takime të tilla të jenë të zakonshme dhe historia jonë e re të jetë një histori normale, në një rajon me rëndësi të integrimeve, prosperitetit, paqes dhe stabilitetit.”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
 
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se mbledhja e tretë mes dy qeverive është  një përpjekje për konsulidimin e një hapësire mbarëkombëtare në rajon, që ka si synim bashkimin nën flamurin evropian. 
 
“Takimi i sotëm konsolidon pa kthim një proces, ku rruga drejt bashkimit kombëtar, i parë si integrim mes veti në funksion të modernizimit të dy shteteve tona dhe integrimit të plotë në BE, ka një përmasë shumë konkrete, idesh, projektesh e energjish të përbashkëta, që po jetësojnë dita-ditës një angazhim kombëtar të përbashkët, krijimin e hapësirës së njehsuar dhe modelin mes nesh dhe për rajonin.”- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.                                                                                            
 
Kryeministri shqiptar theksoi se Shqipëria është avokati më i fortë i Kosovës në NATO, hapi i ardhshëm i natyrshëm i Kosovës, ndërsa propozoi se bashkëpunimi duhet thelluar edhe përmes krijimin të ambasadave të përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë në kuadër të imazhit të “një kombi dhe një toke”.
 
GYLTENE SINANI