Maqedoni

Konferencë ndërkombëtare në UT, trendet bashkëkohore të mjekësisë

03.06.2016 18:55

“Trendet bashkëkohore të shkencave mjekësore dhe dinamikat e mjekësisë moderne” ishte tema e konferencës së parë...

“Trendet bashkëkohore të shkencave mjekësore dhe dinamikat e mjekësisë moderne” ishte tema e konferencës së parë që është organizuar sot nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore të UT-së në bashkëpunim me Universitetin e Trakisë së Turqisë.
 
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Festim Halili, zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili theksoi se është shumë me rëndësi që UT organizon konferenca të tilla ndërkombëtare dhe se mbështetja e Qeverisë për UT-në nuk do të mungojë.
 
“Mbështetja e Qeverisë për Universitetin e Tetovës, përfshirë këtu edhe Fakultetin e Mjekësisë, nuk do të mungojë. Do të vazhdojmë me angazhimin tonë për plotësimin e kushteve moderne të këtij drejtimi, por edhe të drejtimeve tjera në këtë universitet. Organizimi i kësaj konference është më se e dobishme jo vetëm për këtë fakultet, por për shkencën e mjekësisë në përgjithësi.”- deklaroi zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili.
 
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Nasir Bexheti, u shpreh se krahas punës dhe trajnimeve  profesionale të sëmundjeve, mjekët dhe punëtorët në mjekësi në përgjithësi duhet që të përmbushin fillimisht betimin e Hipokratit.
 
“Mjeku bashkëkohor do të duhet të nxjerrë maksimumin e njohurive të veta dhe në fund qëllimi primar ka qenë dhe do të mbetet shëndeti para së gjithashtu. Edhe kjo konferencë që organizohet nga Fakulteti i Mjekësisë është në këtë drejtim.”- tha dekani i Fakultetit të Mjekësisë në UT, Nasir Bexheti.
 
Të pranishëm në këtë konferencë ishin shumë profesorë të vendit, studentë të mjekësisë, si dhe përfaqësues nga Universiteti i Trakisë.
 
VISAR SADIKI