Maqedoni
Autostrada Kërçovë–Ohër, Misajllovski: Punohet sipas parashikimeve
03.06.2016 18:57
Punimet në autostradën Kërçovë-Ohër po ecin sipas planifikimit...

Deri tani është hapur rreth 80 për qind e rrugës dhe po punohet në hapjen e tunelit të autostradës në Preskë, i gjatë rreth dy kilometra, që do të jetë edhe tuneli dhe më i gjatë në vend.
Investimi në këtë autostradë kap vlerën prej 374 milionë euro.
“Intensivisht punohet në disa lokacione njëkohësisht, me qëllim që të respektohen dispozitat nga marrëveshja për ndërtim. Pres që deri në fund të këtij viti të përfundohet gjysma nga punët ndërtimore.”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski.
Në aksin Ohër-Kërçovë momentalisht punojnë mbi 1.200 punëtorë dhe mbi 550 makina ndërtimore, që është koncetrimi më i madh i fuqisë punëtore në ndërtimin e projekteve kapitale. Marrëveshja për ndërtimin e aksit është deri në vitin 2018 dhe autoritetet thonë se edhe pse gjithmonë ekzistojnë punë që nuk mund të parashikohen, me dinamikën aktuale të punës autostrada do të përfundohet në afatin e paraparë.
BESIM ABDULLAI
