Maqedoni
Vazhdon greva e Administratës Gjyqësore, grevistët: Bëjmë luftë për mbijetesë
03.06.2016 18:58
Administrata Gjyqësore ka vazhduar grevën përpara Ministrisë së Drejtësisë...

Nuk munguan fishkëllima dhe brohoritje për status të barabartë në pagesë me të punësuarit tjerë në gjykata. Protestuesit sërish kërkuan takim me ministrin e Drejtësisë, Valdet Xhaferi, për t’ia shpalosur kërkesat për kompensime më të larta për 35% dhe ndryshimet në Ligjin për Administratë Gjyqësore.
Takimi me ministrin Xhaferi nuk u realizua në mungesë të kohës, ndërkaq protestuesit porositën kompetentët se janë duke luftuar për mbijetesën e Administratës Gjyqësore.
“Sindikata në gjithë këtë grevë është më e interesuar për interesat shtetërore se sa institucionet e shtetit. Ne ofrojmë që të ulemi dhe të bisedojmë dhe përfundimisht greva të përfundojë. Megjithatë, ata me këmbëngulje na injorojnë. I porosisim që nuk mund edhe aq të na injorojnë, aq sa ne mund të bëjmë ballë situatës. Kjo nuk është betejë vetëm për kompensime më të larta, por është betejë për mbijetesë të Administratës Gjyqësore.”- deklaroi kryetari i SPOGJ-it, Pece Grujoski.
Administrata Gjyqësore ditë më parë paralajmëroi edhe grevë urie nga e hëna në rast se injorimi nga kompetentët vazhdon. Për një hap të tillë ata kanë marrë mbështetjen edhe të gjykatave të tjera të vendit.
MERAL ISMAILI
