Maqedoni

Komisioni për “impiçment”, asnjë përafrim rreth përgjegjësisë së Ivanovit

03.06.2016 19:00

Anëtarët e Komisionit për “impiçment” edhe më tej ndajnë qëndrime diametralisht të kundërta rreth nismës për përgjegjësi të presidentit Ivanov...

Sipas anëtarëve të opozitës maqedonase dhe atyre të BDI-së, Ivanov ka shkelur kushtetutën dhe ligjet dhe ka thelluar krizën politike, prandaj duhet të mbajë përgjegjësi.
 
Mirëpo, anëtarët e VMRO-DPMNE-së konsiderojnë se vendimi i presidentit, edhe pse nuk është në harmoni me qëndrimet e VMRO DPMNE-së, është marrë konform kompetencave që ka presidenti.
 
Deputeti i BDI-së, Ejup Rustemi, dënoi edhe vendimin për tërheqje të  pjesshme të abolimit.
 
“Ne si parti politike kërkojmë që të tërhiqen të gjitha vendimet për falje, që të gjithë ata t’i nënshtrohen sistemit juridik në RM dhe të gjithë ata të cilët kanë shkelur ligjin të përgjigjen para ligjit dhe të ndëshkohen para rregullativave ligjore në RM.”- tha Ejup Rustemi nga BDI.
 
“Nëse shqyrtoni vendimin për abonim, do të shihni se bëhet fjalë për thuaja të gjithë anëtarët e Komitetit ekzekutiv të VMRO DPMNE-së.” – theksoi deputeti i PRSD-së, Goran Misovski. Sipas tij, VMRO dhe presidenti po mbrojnë njëri-tjetrin, duke mbajtur kështu anën e krimit.     
 
“Do ishte korrekte që të vinte dhe të tregonte nëse Nikolla Gruevski, personalisht, sipas të gjitha gjasave, si i dyshuari i parë në piramidën e “shoqatës kriminale” ia ka dërguar listën për falje.”- u shpreh Goran Misovski nga PRSD.
 
Mirëpo, kryetari i Komisionit nga radhët e VMRO-së, Zoran Iliovski, i cilësoi fjalimet e opozitës, politike.   
 
“Fjalimi politik, kush kanë qenë motivet, çfarë ka menduar, kush e ka detyruar janë çështje që ju mund t’i spiunoni, diskutoni ose asoconi, por për të ngritur përgjegjësi duhet të konstatohet se presidenti ka shkel kushtetutën dhe ligjet.”- tha Zoran Iliovski nga VMRO-DPMNE.
 
Propozuesit e nismës për të kërkuar përgjegjësi nga Ivanov, kërkuan nga ky i fundit që deri në skadimin e afatit të Ligjit për falje t'i tërheq vendimet edhe për 30 personat e tjerë, pasi vlerësojnë se ata mund të jenë dëshmitarë potencial të PPS-së.
 
SHPËTIM NUREDINI