Maqedoni
BDI nis fushatën “Jo për president të njëanshëm”
24.03.2014 19:11
Me sloganin “Jo për president të njëanshëm”, BDI do të zhvillojë fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e rregullta presidenciale...

Me sloganin “Jo për president të njëanshëm”, BDI do të zhvillojë fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e rregullta presidenciale.
Sipas zëdhënësit të partisë Bujar Osmani, BDI e ka marrë këtë qëndrim si rezultat i mungesës së guximit te partitë tjera për të pasur për herë të parë në histori, kandidat të përbashkët.
“Të bindur në përcaktimet politike dhe besimplotë në vizionin tonë, nisim sot me guxim e me liderizëm prej shtetari, në marshim drejt një beteje të re, drejt ndeshjes më demokratike dhe më përparimtare, asaj të dy ideve: njërës, që kërkon të ardhmen, përparimin, zhvillimin; dhe tjetrës, që kërkon të kaluarën, prapakthimin, ngecjen...Të mbështetur në këto parime dhe ideale, me sigurinë që i japin drejtësitë e tyre, Ne sot hapim fushatën e aktiviteteve për të përhapur idetë, psetë dhe përgjigjet e saj. Në të njëjtën kohë kur, partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet presidenciale do të zhvillojnë një proces legal, por të pavërtetë, Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë krah dhe pranë çdo qytetari shqiptar. Jo për të ushtruar presion dhe as për të kushtëzuar, duke hedhur këtu me forcë çdo spekulim të tillë, por për të sqaruar përmes një bashkëbisedimi qytetar, arsyet përse përgjigjja jonë në këto zgjedhje është një “JO PËR PRESIDENTIN E NJËANSHËM”. Slogan ky që do të shoqërojë të gjitha tubimet tona në qytete të ndryshme dhe çdo takim sy me sy me qytetarët tanë, dashamirë të këtij shteti. Për të qetësuar të gjithë kritikët dhe skeptikët, ripohojmë sot pozicionin tonë të patundur: kjo fushatë e nisur dhe çdo ide që ne do të përçojmë nëpërmjet saj, nuk ka qëllim të dëmtojë askënd dhe asgjë”, theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Osmani ka deklaruar se do të vazhdojnë deri në fund realizimin e kërkesës së palëkundur të BDI-së, zgjedhjen e presidentit në Parlament, model i cili praktikohet në dhjetëra vende evropiane. (Mefail Ismaili, TVM2)
