Maqedoni

Hajndl nesër në Shkup, tentim i ri për zgjidhjen e krizës

06.06.2016 11:04

Përfaqësuesi special i Gjermanisë për Maqedoninë, Johanes Hajndl, përsëri vjen në Maqedoni...

Sipas paralajmërimeve, Hajndl në Maqedoni do të vijë ditën e martë, ku do të ketë takime me liderët e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës.

Një pjesë e takimeve do të mbahen të mërkurën. Nuk përjashtohet mundësia që kësaj here, Hajndl të tentojë që të organizojë një takim të përbashkët të liderëve.

Ai tashmë ka deklaruar se abolimi për politikanët, që u dha nga presidenti, Gjorge Ivanov, i rrënoi të gjitha përpjekjet për dalje nga kriza dhe nuk është në pajtim me Marrëveshjen e Përzhinës.

Ai gjithashtu deklaroi se pastrimi i listës zgjedhore, sigurimi i pavarësisë së medieve dhe mundësimi i qasjes së njëjtë të partive në to janë kushte pa të cilat nuk mund të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike.

Përfaqësuesi gjerman kërkoi që të sigurohet puna pa pengesa e Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa të gjithë të dyshuarit nga skandali i përgjimeve të përgjigjen para ligjit.