Belgjikë, përplasen trenat, 3 të vdekur dhe 9 të plagosur
Një tren pasagjerësh i orëve të vona të natës është përplasur me pjesën e pasme të një treni mallrash të ndalur, në Lindje të Belgjikës, duke dalë nga binarët, përplasur dy makina dhe duke lënë të vdekur tre persona e mbi 9 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë....

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet vendase gjatë kësaj të hëne.
“Treni i pasagjerëve është aktualisht në një gjendje vërtet të mjerueshme”, tha Francis Dejon, kryebashkiak i Komunës së Saint-George-sur-Meuse, gjatë një konference për shtyp. “Jemi vërtet me fat që nuk ka pasur më shumë viktima”.
Ndërkohë, në spital janë trajtuar edhe 27 persona të tjerë me lëndime të lehta si pasojë e aksidentit, që sipas autoriteteve ndodhi rreth orës 23 të mbrëmjes së të dielës.
Rrjeti i transmetimit RTL bëri të ditur se treni i pasagjerëve kishte rreth 40 persona në vagonët e tij, teksa udhëtonte me një shpejtësi prej 90 km/h, por është përplasur në pjesën e pasme të trenit të mallrave të ndalur në Hermalle-sous-Huy, pranë bregut të lumit Meuse, pranë Liezhit.
