Besim Koka: Me ekipin e Futsalit “SHKUPI” synojmë titullin kampion dhe Evropën

06.06.2016 14:17

Sezoni 2015/2016 ka qenë një vit i mbarë për klubin e futsalit Shkupi...

Sezoni 2015/2016 ka qenë një vit i mbarë për klubin e futsalit Shkupi, skuadër kjo e cila që në sezonin debutues në elitën e futsalit, tërhoqi vëmendjen e gjithë dashamirëve të këtij sporti në vendin tonë. Ata përveç një organizimi të mirëfilltë në strukturat e klubit, impresionuan edhe me rezultatet e tyre, duke përfunduar sezonin në pozitën e dytë menjëherë pas kampionëve të Zhelezarecit. Lidhur me themelimin e klubit, të arriturat e tyre si dhe planet për në të ardhmen, neve zhvilluam një intervistë më të zgjëruar me numrin një të kësaj skuadre, Besim Koka, i cili nuk fsheh gëzimin për të arriturat e deritanishme dhe aspiratat e mëdha që kanë rreth sezonit të ri.
 
Futsal Shkupi:  Sezoni i parë në elitën e futsalit dhe tërhiqni vëmendjen e të gjithëve. Në fund pozicionoheni në vendin e dytë! Sa jeni të kenaqur nga ky sezon me ekipin e juaj?
 
Besim Koka: Të them të drejtën jemi të kënaqur nga ajo se si rrodhi kampionati dhe me rezultatet që i arritëm. Siç e dini ne sivjet u futëm në ligën e parë të futsalit dhe synimi jonë ka qenë që të pozicionohemi në një ndër katër vendet e para. Megjithatë neve i tejkaluam mundësitë tona dhe në fund arritëm që të shpallemi nënkampion. Mendoj se e gjithë kjo ka bërë që ne e tërhoqëm vëmendjen e të gjithve në futsalin vendor. 
 
Futsal Shkupi: Çfarë sipas jush solli deri te këto rezultate të shkëlqyeshme të FC Shkupit në sezonin 2015/2016?
 
Besim Koka: Fillimisht dua të potencoj se disciplina dhe korrektësia e lojtarëve dhe anëtarëve tjerë të klubit janë një ndër elementet kyçe që na shpiejnë drejt këtij suksesi.  Ne si ekip kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe në fund besoj se i’a arritëm qëllimit. Të them të drejtën neve funksionojmë si një familje dhe mu këtu mendoj se qëndron çelësi i suksesit të rezultateve tona.  
 
Futsal Shkupi: Na flisni rreth themelimit të klubit.  E kujt ishte ideja për themelimin e FC Shkupit dhe nga kush e keni përkrahjen më të madhe rreth zhvillimit të ndeshjeve?
 
Besim Koka: Ideja ishte e vetë lojtarëve tanë ekzistues, të cilët morrën këtë hap dhe atyre në stafin drejtues. Gjithë këto kontribuan që të vie deri te themelimi i klubit tonë. Do të doja madje që ti përmendja personat që ishin më meritorë, e ata janë: Mensur Fazlia, Bekim Amzovski, Arsim Fazlia, Agron Fazlia, Skender Kovaçi, Amir Kovaçi, Llokman Fazlia…
 
Futsal Shkupi: Që në sezonin e parë të themelimit të klubit juve u shpallet kampion në Ligën e Dytë dhe arritët që të siguroni një vend në elitën e futsalit. Na i përshkruani një çik atë vit, kënaqësinë dhe emocionet pasi ja arritët qëllimit që të jeni pjesë e skuadrave më të mira të futsalit në vend?
 
Besim Koka: Që kur u themeluam ne si klub, për qëllim kishim të futemi në Ligën e Parë, dhe e besoni se në asnjë moment ne nuk kemi dyshuar as që na ka shkuar ndër mend se a do mundemi të arrijmë një gjë të tillë apo jo, sepse i kishim dhënë vetes obligim gjithë secili se duhet të fitojmë çdo ndeshje dhe të arrijmë synimin tonë, që në fund edhe ia arritëm. Emocionet....!! E vërtetë që  ka pasur shumë emocione, ku pozitive e ku negative, po dua të potencojë edhe këtë se kur neve kemi pësuar disfatë në ndonjë ndeshje, pas saj jemi rikthyer edhe më të fortë. Mund të konstatoj se në ligën e dytë kemi pasur ndeshje më emocionuese se sa në ligën e parë.
 
Futsal Shkupi: Vallë e prisnit një debutim të tillë në Ligën e Parë, kur juve përfunduat sezonin menjëherë pas kampionëve të Zhelezarecit?
 
Besim Koka: Siç thash edhe më parë neve kur u inkuadruam në Ligën e Parë si synim kishim 4 vendet e para, dhe ashtu ndodhi. Ne në fund arritëm të pozicionohemi në vendin e dytë, menjëherë pas Zhelezarecit. Thënë realisht nuk e prisnim një gjë të tillë, mirëpo me kalimin e ndeshjeve dhe arritjen e rezultateve nga ana e lojtarëve tanë, neve fituam një bindje edhe më të fortë në vazhdim të kampionatit dhe lirisht mund të them se me kualitet jemi shumë afër ekipës së Zhelezarecit, skuadër kjo që 8 vite rradhazi po del kampion në futsalin vendor. 
 
Futsal Shkupi:  Sezoni 2015/216 u mbyll. Tashmë ju presin sfida të reja dhe kuptohet edhe ambicie të reja. Mund të na thoni cilat janë ambiciet e klubit për këtë vit?
 
Besim Koka: Sezonin 2015-2016 e  mbyllëm me sukses, ndërsa sa u përket ambicieve për sezonin e ri, mund të them se ata janë më të larta se sezonin tonë debutues, që d.m.th se neve këtë vit atakojmë vendin e parë.  
 
Futsal Shkupi: Përveç rezultateve të mira që i arritët në sezonin e parë, juve ishit edhe një ndër klubet më fer dhe korrekte në Lige si dhe një ndër klubet më të organizuara. Si ia arritët qëllimit dhe mendoni që në vitin e dytë strukturat e klubit do të jenë edhe më të përforcuara në këtë drejtim kur veçmë e dimë që në adresën tonë kishim lëvdata si nga klubet ashtu edhe nga vetë Federata?
 
Besim Koka: Lojë, sjellje fer dhe korekte si dhe organizim maksimal janë një ndër objektivat më kryesore të FC Shkupit dhe mendoj se do të vazhdojmë në këtë mënyrë. Besoj se do të rifreskojmë strukturat tona të klubit me disa individ profesionist të kësaj lëmie të cilët do bëjnë që të rritet madje niveli i organizimit të klubit tonë dhe ta shndërrojmë atë në një klub të vërtetë evropian. Lëvdatat normal se janë të mirëseardhura, mirëpo njëkohësisht na japin për detyrë që të profesionalizohemi edhe më shumë.  
 
Futsal Shkupi: Kur jemi te organizimi vlen të përmendet se FC Shkupi mjaft mirë u mbulua edhe në aspektin medial, madje duke funksionuar si një klub me shumë traditë, edhe pse të gjithë e dimë se ky është vetëm viti i dytë që garoni. Si do e kishit komentuar këtë pjesë?
 
Besim Koka: Mendoj se sot rëndësi të veçantë ka edhe mbulimi medial. Ne si klub jemi  munduar ta mbulojmë ose ti prezantojmë rezultatet dhe të rejat brenda klubit, gjithë atyre simpatizantëve tanë përmes “fan-page” tonë “Futsali Shkupi” në facebook. Mendoj se do të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë për të mbuluar këtë pjesë, pasi e dimë të gjithë se reklama për një klub nëpër media të ndryshme afirmon edhe më shumë klubin, të cilin pretendojmë ta shndërrojmë në një klub të vërtetë evropian, ndërsa për sezonin e ri mendoj se simpatizantët tanë dhe gjithë atyre që ju intereson klubi jonë, Futsal  Shkupi, të rejat rreth nesh do të mund ti kuptojnë edhe përmes faqes tonë zyrtare që besoj se do të jetë e gatshme për shumë shpejt kohë.
 
Futsal Shkupi: Për gjithë këto suksese kuptohet që nevojiten edhe financa. Si keni arritur një gjë të tillë dhe kush janë më meritorët në këtë aspekt?
Besim Koka: Financat janë pika e parë. Të gjithë e dimë se pa financa nuk mund të arrish asgjë, ndërsa merita rreth kësaj kanë shumë kompani. Nuk do të kisha veçuar ndonjë person në mënyrë të veçantë, në shenjë korrektësie, por një falenderim special kisha bërë për sponzorët tanë pa të cilët nuk do ishim këtu: “Komunën e Çairit”, “Suk Impeks”, “Liti Farm”, “Gips Imobilia”, “Luto Komerc”.
 
Futsal Shkupi: Për fund çfarë do ju kishit premtuar gjithë atyre përkrahësve të juaj, duke filluar që nga publiku, gjithë ata dashamirë lidhur me sezonin e ri. Na flisni rreth synimeve të klubit dhe rifreskimit me futbolliste të rinj?
 
Besim Koka: Ju premtojmë se do të jemi kampion në Ligen e parë të RM dhe do luajmë në Evropë. E dimë se për të arritur një gjë të tillë do të duhet shumë punë dhe mund, mirëpo duke pasur parasysh organizimin tonë dhe personave që qëndrojnë për rreth klubit, besoj se do i’a arrijmë qëllimit, edhe pse për një gjë të tillë do na duhen edhe disa përforcime të reja. Kur jemi tek përforcimet besoj se në ekipin tonë do të marrim 2-3 lojtarë të rinj, me të cilët do të risnim konkurrencën në skuadër, por njëkohësisht edhe kualitetin. Besoj se me 2-3 lojtarë të rinj, por parasëgjithash cilësor do të mund të konurrojmë për vendin e parë. Që tani mund të ju them se jemi në bisedime me disa lojtarë, emrin e të cilëve do e bëjmë publikë vetëm atëherë kur do zyrtarizohen. Ju premtoj se për gjithçka do jeni të informuar me kohë përmes departamentit tonë të informimit që është në shërbim të mediave.
 
Futsal Shkupi: Nëse kemi harruar ndonjë gjë pa cekur dhe që ja vlen ta dinë dashamirët e klubit dhe gjithë ata përkrahës mund ta thoni tani në fund?
 
Besim Koka: Një falenderim të gjithë atyre që kontribuan në mënyra të ndryshme, duke filluar prej menaxhmentit të klubit, trajnerit, futbollistëve, sponzorëve dhe Komunën e Çairit me në krye kryetarin, Izet Mexhiti.
 
Futsal Shkupi është themeluar në vitin 2014-të, ndërsa që në sezonin e tyre të parë debutues ata arritën të shpallen kampion në Ligën e Dytë, duke siguruar të drejtën për të garuar në mesin e skuadrave më të mira të futsalit në vend. Pjesë e skuadrës janë kryesisht djemë të rinj të rrethinës së Çairit, të cilët edhe përkundër faktit se futsalin nuk e kanë anën e tyre profesionale, megjithatë japin më të mirën nga vetja dhe në saje të një pune të tillë nuk mungojnë edhe rezultatet. Shpresojmë që këta çuna të vazhdojnë në stilin e njëjtë dhe për shkurtë kohë të jenë krenaria e Çairit dhe e githë shqiptarëve të Maqedonisë. 
Ne besojmë te ju çuna, Besojmë te Futsal Shkupi....