Botë

Çështja çame, Bushati: Nuk kemi pretendime territoriale ndaj Greqisë

06.06.2016 15:50

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, është pritur me protesta e tensione në Tiranë...

Partia e Çamëve ka protestuar për disa orë rresht, duke i kërkuar ministrit shqiptar, Ditmir Bushati, që t’i kërkonte homologut grek zgjidhjen e çështjen e varrezave të çamëve, heqjen e Ligjit të luftës si dhe për çështje të tjera të mbetura pezull mes dy shteteve.
 
“Nuk mund të mos provokoheshim nga fjala e zotit Kotzias, i cili duhet ta dijë se nazistë dhe fashistë i ka në Parlamentin e Greqisë, pra e kam fjalën për Agimin e Artë. Për ne pak rëndësi ka çfarë thotë Kotzias, mjaftoi që kishte një parullë, unë uroj mos jetë e vërtetë, që gjyshi i tij ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ne si shqiptarë të Çamërisë nuk kemi problem që ai të jetë ministër i Greqisë.”- deklaroi kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
 
Situata ka qenë jo pak problematike, duke arritur deri në përleshje. Gazetarët grekë janë shfaqur të revoltuar në raportimet e tyre për mediat greke, ndërsa edhe ministri i Jashtëm, Ditimir Bushati, është shfaqur pak strikt, duke u shprehur se nuk ka alternativë tjetër veç zgjidhjes së çështjeve që ndajnë Shqipërinë me Greqinë. Ndërsa ministri Kocias ka thënë se Greqia nuk është në gjendje lufte.
 
“Besojmë se një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe të rivendoste një drejtësi të munguar. Besoj se është momenti i mirë për të qenë më i qartë dhe i drejtpërdrejtë se nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale. Shqipëria nuk ka asnjë lloj pretendimi territorial ndaj Greqisë. Është një vend që ka firmosur aktin final të Helsinkit, e pranon dhe respekton Greqinë si një fqinj dinjitoz. Qasja jonë ka të bëjë me respektimin e të drejtave themelore të kësaj popullsie çame dhe pasardhësve të tyre, që në fakt ishin shqiptarë Çamërie, me nënshtetësi greke. Flasim për një proces ku çdo lloj pengese e karakterit diskriminues duhet të hiqet.”- tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
 
“Greqia beson se me deklaratën e 1987-tës ne nuk jemi në luftë. Kjo është e vërtetë. Marrëveshja e miqësisë në 1996 është e vërtetë. Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe perspektiva e hyrjes në BE na bën jo vetëm miq, por dhe partnerë. Nëse ekzistojnë dyshime nëse jemi ose jo në gjendje lufte, do të jetë objekt diskutimi që do të zhvillohet dhe do të gjejmë zgjidhje.”- theksoi ministri i Jashtëm I Greqisë, Nikos Kotzias.
 
Protesta e çamëve ka vijuar edhe pas largimit të ministrit grek nga zyra e Bushatit. Takimet më tej Kocias i ka vijuar me presidentin, Bujar Nishani, ndërsa nesër pritet të vijojë takimet me kryeministrin dhe shefin e opozitës.
 
LULJETA NDOKA