Ekonomi
Studentët do të përfshihen në biznes-planin për efikasitet energjetik
24.03.2014 19:18
Studentët e fakulteteve ekonomike dhe teknike, do të mund të garojnë në përpunimin e biznes-planit për efikasitetin energjetik...
Studentët e fakulteteve ekonomike dhe teknike, do të mund të garojnë në përpunimin e biznes-planit për efikasitetin energjetik. Kjo garë është pjesë e projektit të ri në kuadër të platformës për efikasitet energjetik të EVN-Maqedoni, në bashkëpunim me ministrinë e Ekonomisë.
“Ky garim është i rëndësishëm, sepse do të hap dimension të ri në të menduarin, i cili duhet të bëhet praktikë e rregullt në hapat e mëtutjeshëm”, tha kryetari i bordit drejtues të EVN-Maqedonisë, Verner Hengs.
Ministria e Ekonomisë, përmes disa programeve ka punuar për rritjen e aplikimit të efikasitetit energjetik në sektorin real. Për të arritur këto qëllime janë marrë një sërë masash, me çka janë paraparë 400 milion euro.
“Përveç programeve të rregullta për krijimin dhe rritjen në këtë segment edhe më tej do të kontribuohet dhe do të ketë fonde shtesë nga EBRD prej 75 milion euro, pikërisht të projektuar për efikasitet energjetik”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini.
Studentët e universiteteve, e shohin këtë garim si mundësi të mirë për edukim dhe zbatim të efikasitetit energjetik.
“Gara për biznes-plan paraqet një mundësi të mirë edhe për studentët shqiptarë të cilët ndjekin studimet në fakultetin Teknik dhe Ekonomik të UEJL dhe UT-së. Ky garim në veçanti rrit mundësinë për edukim dhe zbatim efikas të energjisë elektrike, si dhe njohjen dhe trajnimin për biznes-plan”, u shpreh Teuta Kadri, studente në UEJL.
Vendimet e dërguara nga ana e studentëve, do të shqyrtohen nga një juri profesionale, ndërsa tre projektet më të mira do të shpërblehen me vlerë prej 30.000, 18.000 dhe 9.000 denarë. Të gjithë studentët e interesuar, do të kenë mundësi që të aplikojnë dhe të marrin pjesë në njërën prej dy organizatave studentore “IAESTE” dhe “AIESEC”, ose në faqen e internetit: www.energetskaazbuka.mk. (Besim Abdullai, TVM2)
