Futboll
K. Amerikës, shkëlqen Meksika, Uruguai e nis me humbje
06.06.2016 16:07
Surpriza e parë e Kupës së Amerikës vjen nga “University Stadium” i Phoenix ku Meksika theu Uruguain, duke treguar pse konsiderohet nje prej skuadrave favorite për të shkuar në finale...

Autogoli i Perreiras dhe golat e Marquez dhe Herreras vendosën diktatin e kwsaj sfide spektakolare. 6 minuta nga fundi ndodhi gjithçka ku Marquez shënoi golin e dytë të Meksikës duke i hapur rrugën suksesit të tetë rresht për skuadrën e trajnerit Osorio, i cili nuk e ka provuar ende shijen e humbjes në pankinën e Meksikës.
Ndeshja nisi me autogolin e shpejtë të Perreiras që në minutën e tretë pasi lojtari bardhekaltër shtyu me kokë në rrjetë topin, ndërsa në minutën e 45 Vecino e la skuadrën e Tabarez me 10 lojtarë pas dy kartonave të verdhë. Në pjesën e dytë, Uruguai tentoi të barazonte shifrat dhe ia doli mbanë me Gorin 16 minuta nga fundi. Guardado doli nga fusha e lojës duke barazuar forcat por Marquez shënoi golin e dytë që u pasua nga rrjeta e tretë e Herreras në të 90-ën.
Në takimin e Grupit C, Venezuela e nisi evenimentin me këmbën e mbarë. Mjaftoi një gol i Josef Martinez që Xhamajka të dorëzohej 1-0 ndaj skuadrës amerikano-jugore. Venezuela krijoi volum loje por pavarësisht rasteve të shumta nuk arriti ta thellonte avantazhin duke u mjaftuar me një fitore të ngushtë që i siguron tre pikët e para, duke marrë përkohësisht kryesimin e grupit.
