Maqedoni
Mbrojtja e ambientit jetësor, ekspertët diskutojnë para Samitit të Parisit
06.06.2016 16:41
Procesi i harmonizimit të legjislacionit nacional me atë të Bashkimit Evropian ka sjellë miratimin e një numri të madh të ligjeve që kanë të bëjnë me masat për zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike...

Maqedonia është nënshkruese e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike dhe vazhdon me angazhimin e saj për të zvogëluar lëshimin e gazrave serrë. Kjo u tha në debatin e sotëm të organizuar nga Sekretariati për Çështje Evropiane, Ministria e Ekologjisë dhe Ambasada e Francës.
“Më 4 korrik në Paris do të jemi nikoqirë edhe të një samiti të Ballkanit Perëndimor dhe planifikojmë ta vendosim mjedisin jetësor në majën e prioriteteve për qytetarët, për rajonin dhe për Evropën."- deklaroi ambasadorja e Francës, Lorens Oer.
“Maqedonia intensivisht i shfrytëzon fondet e BE-së dhe IPA-s, si dhe donacionet e tjera bilaterale. Në suaza të IPA1 është përpiluar dhe përgatitur program operues për zhvillim rajonal për vitin 2007 deri në vitin 2013, i cili ka për qëllim ta mbështesë mjedisin jetësor, përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe zhvillimin ekonomik. Në fondin IPA2, sipas dokumentit strategjik kombëtar, për këtë sferë janë paraparë mjete prej 113 milionë euro. Presim që në muajt e ardhshëm ta fitojmë mbështetjen financiare, me ç'ka do na hapet dera për implementim të mëtejmë të këtyre aktiviteteve.”- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi.
Ministri i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti, pret që nga këto debate të dalin ide të frytshme për mbrojtjen e ambientit jetësor. Në debat morën pjesë edhe përfaqësues të pushtetit lokal, të organizatave joqeveritare, si dhe profesorë universitarë.
GYLTENE SINANI
