Maqedoni
Oer: Zbatoni reformat, zgjidhni krizën
06.06.2016 17:26
Ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer, thotë se Maqedonia duhet të merret seriozisht me reformat e nevojshme dhe zgjidhjen e krizës politike...

Për një gjë të tillë do të insistojë me siguri edhe diplomati gjerman, Hajndëll, gjatë vizitës së tij në Shkup. Të gjithë ne jemi të dedikuar që kriza politike të zgjidhet, nënvizon Oer.
“Ardhja e diplomatit Hajndëll është sinjal i rëndësishëm për nevojën urgjente të zgjidhjes së krizës. Ardhja e tij është mesazh dhe simbol i rëndësishëm. Do të shohim se me kë do të takohet dhe çfarë do të raportojë… Ne e ndjekim zbatimin e reformave urgjente, të cilat janë element kyç për zgjidhje të krizës dhe për t’i kthyer besimin qytetarëve në institucionet e vendit. Kriza politike është një barrë e rëndë për vendin. Ne si NATO dhe BE jemi të shqetësuar për vendin dhe prandaj me rëndësi është zgjidhja e krizës politike.”- deklaroi ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorence Oer.
Sipas ambasadores Oer, 15 qershori është datë e rëndësishme, sepse do të shqyrtohet progresi rreth Marrëveshjes së Asociimit me Maqedoninë. Raporti i PRIBE-së fokusohet në sundimin e së drejtës dhe demokracisë, diçka ku do të insistojë edhe diplomati Hajndëll, përkujton Oer. Hajndëll pritet të qëndrojë në Shkup, në atë që shihet si përpjekja e radhës e bashkësisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund krizës politike.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
