Maqedoni

Komisioni parlamentar për impiçment, VMRO: Propozimi i LSDM-së është i pabazë

06.06.2016 17:40

Iniciativa e LSDM-së për impiçment të presidentit, Gjorge Ivanov, nuk mori pëlqimin e shumicës së anëtarëve në Komisionin parlamentar për impiçment...

Komisioni me gjashtë vota të VMRO-DPMNE-së konstatoi se iniciativa e LSDM-së është e pabazë dhe se abolimet e presidentit janë kushtetuese. Reaguan nga LSDM, të cilët thanë se VMRO-DPMNE ka neglizhuar argumentet e tyre në përpilimin e kësaj konkluze.
 
“Për fat të keq, procedura e parë për impiçment nuk i ngjau një instituti të tillë që është aplikuar në shtete tjera me sisteme komparative. Kryetari i Komisionit bashkë me kolegët e shumicës nuk deshën të realizojnë debat të vërtetë, thelbësor, duke i analizuar të gjitha faktet që ne prezantuam. Ne vetëm se dëgjuam vlerësime paushallë dhe politike, por jo edhe argumente të vërteta që do të rrëzonin argumentet tona.”- deklaroi Renata Deskovska nga LSDM.
 
Iniciativa e LSDM-së u mbështet nga BDI, të cilët gjithashtu konsiderojnë se presidenti me vendimin e tij për falje jo vetëm që keqpërdori kushtetutën, por thelloi akoma më shumë krizën.
 
Por, nga VMRO-DPMNE dolën me kundërvlerësime se propozimi i LSDM-së ka pasur tendenca të shkaktojë kaos akoma më të madh. Kryetari i Komisionit, Zoran Ilioski, tha se gjatë debatit u dëgjuan të gjitha argumentet.
 
“Kishim dy ditë debat, ku të dyja palët dhanë argumente, në bazë të të cilave votuam dhe morëm vendim. Komisioni konsideron se propozimi për impiçment të presidentit nuk mban dhe se presidenti ka vepruar në bazë të ligjit dhe kushtetutës.”- tha kryetari i Komisionit për impiçment, Zoran Ilioski.
 
Konkluza e Komisionit për impiçment të presidentit bashkë me vlerësimet kundër të LSDM-së dhe BDI-së do t’i dorëzohet kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanovski, i cili të hënën çështjen e impiçmentit pritet ta shtrojë në seancë plenare.
 
MERAL ISMAILI