Maqedoni

Filloi procesi për rastin “Kumanova”, 37 të akuzuarit ripërsërisin: Nuk jemi fajtorë

06.06.2016 18:14

Pas një muaji shtyrje, më në fund filloi gjykimi për ndodhin në “Lagjen e trimave” në Kumanovë më 9 dhe 10 maj, ku 37 persona akuzohen për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”...

Për shkak të bashkimit të rasteve “Rufeja” me “Lagjen e trimave”, seanca gjyqësore filloi nga e para. 37 të pandehurit, të cilët tashmë ishin deklaruar si të pafajshëm para Trupit Gjykues, kanë përsëritur të njëjtën gjë dhe thanë se ata nuk ndjejnë faj për krimet me të cilat ngarkohen. 
 
Të pafajshëm u deklaruan edhe tetë të akuzuarit që hynë në këtë aktakuzë, por u arrestuan në operacionin "Rrufeja" si logjistikë e ndodhive në Kumanovë.
 
Dem Shehu, njëri nga të akuzuarit, tha se rastin e Kumanovës e ka përgatitur arkitekt për motive finansiare, ndërsa Andi Krasniqi, i njohur si “Komandat Malisheva”, u ankua se po keqtrajtohen më qëllim të pranimit të akuzën. Avokatët mbrojtës vazhdojnë të hedhin poshtë akuzat për terrorizëm. 
 
“Pas disa shtyrjeve, me të vërtetë sot u kompensua dita. Siç e dini, procesi filloi nga e para. Kualifikimi terrorizëm dhe organizatë terroriste në këtë rast konkret nuk mund të qëndrojë. Këtu kemi të involvuar persona që nuk kanë të bëjnë aspak me këtë ngjarje. Akuzoheshin për logjistikë, por pala mbrojtëse ka reaguar, pasi që bisedat janë realizuar me familjarët e tyre.”- deklaroi avokati, Asmir Alispahiç.
 
“Me bashkimin e aktakuzave përsëri u kalua në fjalën hyrëse dhe në prononcimin e të akuzuarve për rastin në kuptimin e fajësisë. Të gjithë të akuzuarit, fillimisht 29 sot edhe 8 që ju bashkuan sot, u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.”- tha avokati, Ibrahim Bajrami.
 
Prokurori, Naum Panovski, para tetë të akuzuarve për logjistikë tha se edhe pas bashkimit të lëndëve, të gjithë të pandehurit do të gjykohen për veprën penale “terrorizëm”. Ndërsa i akuzuari, Sevdail Demiri, tha se këta persona nuk kanë ofruar logjistikë, pasi që personat e vërtetë, sipas tij, nuk gjenden në sallë. 
 
SANIJE DURAKU