Botë
Itali - Zgjedhjet lokale, fitore historike për Lëvizjen 5 Yje në Romë
06.06.2016 20:46
Forca politike italiane “Lëvizja 5 Yje” është konfirmuar partia kyresore politike në kryeqytetin italian Romë...

Forca politike italiane “Lëvizja 5 Yje” është konfirmuar partia kyresore politike në kryeqytetin italian Romë, duke fituar me 35.6 % kundrejt Partisë Demokratike me 17.2 % të votave në zgjedhjet administrative lokale të zhvilluar më datë 5 qershor në të gjithë Italinë.
62,14% e rreth 13 milionë italianëve kanë votuar në zgjedhjet lokale për kryetarët e rinj të Bashkisë, Këshilltarët bashkiakë e Këshilltarët administrativ rajonal.
Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, pjesëmarrja në votime ka shënuar një ulje prej 5% në krahasim me zgjedhjet e fundit administrative.
Surpriza e vërtetë e këtyre zgjedhjeve është triumfi në kryeqytetin italian Romë të kandidates së Lëvizjes 5 Yje, 38 vjeçares Virginia Raggi, me profesionin avokate, ndaj kandidatit të Partisë së kryeministrit Matteo Renzi, demokratit Roberto Giaccheti.
Megjithëse nuk ka mundur të kapërcejë 50% të votave duke u rikthyer në balotazh më datën 19 qershor, kandidatja e Lëvizjes 5 yje ka konfirmuar në këto zgjedhje një fitore të plotë prej shumë pikësh avantazh ndaj kandidatit të Partisë Demokratike e cila është dhe forca politike kryesore e mazhorancës qeverisëse.
Lëvizja 5 Yje është konfirmuar si forcë kryesore politike dhe në qytetin e Torinos, por dhe këtu do të jetë balotazhi i datës 19 qershor i cili do të vendos zgjedhjet e kryetarit të ri të Bashkisë.
“Nuk jemi aspak të kënaqur nga rezultati i zgjedhjeve për Partinë Demokratike” ka komentuar në konferencën e shtypit kryeministri Renzi, ndërsa kreu i Lëvizjes 5 Yje, Beppe Grillo, e ka quajtur “një moment historik triumfin e kandidates Virginia Raggi në Romë”.
Përgjatë këtyre zgjedhjeve, Lëvizja 5 yje dhe pse jo me fitore ka trefishuar votat e saj dhe në qytetin e Milanos, ku kryetari i ri i Bashkisë do të zgjdhet me votat e balotazhit të 19 qershorit mes kandidatit të qëndrë së djathtë e atij të qëndrës së majtë italiane.
