Shpërthim në Stamboll, 11 të vdekur, 36 të lënduar

07.06.2016 12:13

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën, midis të cilëve shtatë policë dhe katër civilë...

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën, midis të cilëve shtatë policë dhe katër civilë, ndërsa 36 të tjerë janë plagosur, si pasojë e një sulmi me automobilbombë ndaj një autobusi të policisë turke në qendër të Stambollit. Lajmin e ka konfirmuar guvernatori i Stambollit, Vasip Shahin.

“Ditën e sotme, rreth orës 08.40, ka pasur një sulm me autobombë ndaj një automjeti të policisë në kohën kur po kalonte në lagjen Vezneciler. Si pasojë e këtij sulmi kanë humbur jetën 11 persona, nga të cilët shtatë policë dhe katër qytetarë.”- deklaroi guvernatori i Stambollit, Vasip Shahin.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pasi vizitoi të plagosurit në spital, tha se bëhet fjalë për sulmi terrorist, duke theksuar se do të vazhdojë lufta kundër terrorizmit deri në fund.

Cak i sulmit ishte autobusi i cili po transportonte policë, ndërsa sulmi ka ndodhur në lagjen qendrore të Stambollit, Veznexhiler, pranë qendrës historike të sheshit Bejazit.

Askush nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin, edhe pse “Shteti Islamik” dhe militantët kurdë shpesh kanë kryer shpërthime të tilla muajt e fundit.

Sulmi i mëngjesit të sotëm është i katërti në Stamboll këtë vit. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)