Maqedoni

Zaev: LSDM ka dy kushte për vazhdimin e bisedimeve

07.06.2016 15:36

“Gjykata Kushtetuese ta konfirmojë kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale dhe të gjithë protestuesit e arrestuar në këto dy muajt e fundit të lirohen deri më 18 qershor!”- kërkoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, si kusht që të mund të rifillojnë negociatat midis partive për përgatitjen e zgjedhjeve...

"Plani parasheh dy hapa kryesorë. Gjykata Kushtetuese ta konfirmojë kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale dhe të gjithë qytetarët e arrestuar të lirohen dhe të mos ketë trysni ndaj qytetarëve. Këto janë dy kushtet e LSDM-së që duhet të plotësohen deri më 18 qershor për t’i vazhduar bisedimet për dalje nga kriza politike në Maqedoni.”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Sipas Zaevit, me plotësimin e dy kushteve, pra shtyrjen e zgjedhjeve dhe tërheqjen e të gjitha abonimeve, krijohet hapësirë për kapërcimin e krizës, por duhet të përmbushen të gjitha kërkesat për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, që do të thotë të formohet qeveri kalimtare ose çfarëdo qeveri tjetër, të pastrohet Lista Zgjedhore, të ketë reforma në media dhe të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike.                       
 
“Garantimi i parafushatës, procesi i fushatës dhe dita e zgjedhjeve është thelbi dhe përmbajtja e asaj pjese të ‘Përzhinës’. Për ne, nëse ka mundësi për qeveri ekspertësh, është e pranueshme, është e mundur edhe një qeveri për shpëtimin kombëtar, qeveria e reformave të kthehet në qeveri teknike, pra çdo gjë që i plotëson këto qëllime është e pranueshme për diskutime dhe nuk kemi asnjë paragjykim apo ndonjë motiv të fshehur."- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Në lidhje me akuzat e VMRO–DPMNE-së se ai është politikani i vetëm i aboluar për rastin “Global”, Zaev i bëri thirrje publike presidentin, Gjorge Ivanov, që ta shfuqizojë abolimin.
 
SANIJE DURAKU