Maqedoni
Filloi testimi ekstern, nxënësit: Edhe këtë vit u përsëritën gabimet
07.06.2016 16:05
Prej sot deri më 11 qershor do të mbahet testimi ekstern për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme...

Në Maqedoni do të testohen 178. 648 nxënës në dy lëndët që do t’u caktohet nga Byroja e Arsimit.
Nxënësit e shkollave të mesme thonë se edhe këtë vit kanë vërejtur gabime dhe sipas tyre gabimet e njëjta pothuajse përsëriten çdo vit.
“Unë mendoj se testimi ekstern nuk ka efekt të madh për ne nxënësit, pasi që ne nuk mund të testohemi për 30 min. për materialin e tërë vitit. Pyetjet ishin të pakuptimta disa si dhe me gabime.”- u shpreh një nxënës i shkollës së mesme.
“Testimin ekstern unë e kam filluar qysh në klasën e shtatë dhe të njëjtat gabime po përsëriten çdo vit.”- tha një nxënëse.
“Pyetjet në tekstin ekstern nuk kanë qenë shumë të vështira, por kanë qenë disa pyetje që kanë qenë jashtë temës. Kishte gabime, por nuk më kujtohen.”- theksoi një nxënëse.
Vedat Mustafa, zëvendësdrejtor i Shkollës së Mesme të Kimisë “Marija Kiri Skollodovska” theksoi se kanë bërë kërkesa në pyetjet që ka pasur gabime, të cilat janë përmirësuar.
“Kur janë paraqitur pyetjet në sistem, ka pasur afat që profesorët të mund të ankohen ose mund të kërkojnë ndonjë korrigjim. Dhe unë vetë kam hasur në gabime. Kemi dërguar kërkesë dhe ka qenë një opsion për të bërë kërkesë për përmirësimin e gabimit dhe tani kur i pamë pyetjet nuk kishte ndonjë gabim të tillë që i kemi hasur më herët.”- deklaroi zëvendësdrejtori i Shkollës së Mesme të Limisë “Marija Kiri Skollodovska”, Vedat Mustafa.
Por, profesorët thonë se pyetjet janë të formuluara në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe shumë herë vënë në dilemë nxënësit për më tepër përgjigje, apo edhe pyetje që nuk përputhen me planprogramin.
“Pyetjet janë të formuluara në atë mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por në një lloj mënyre të pakuptimtë dhe në disa raste nxënësit janë ankuar se: profesor ne nuk i kemi mësuar këto gjatë këtij viti. Në kontinuitet vazhdojnë ato gabime si ato drejtshkrimore, si ata gjatë formulimit të lëndëve përkatëse.”- tha profesori, Blerim Nebiu.
“Dy elementet kryesore që i vërejta unë si profesoreshë e lëndës, në teste pyetjet janë të nivelit më të lartë edhe e dyta pyetjet janë me planprogram të gjimnazit të reformuar, nuk janë pyetje të planprogramit me të cilin punoj unë me shkollat e mesme profesionale, sepse ne kemi literaturë tjetër për shkollat e mesme, ndërsa për gjimnaz të reformuar materiali është më i zgjeruar.”- theksoi profesoresha, Aferdita Bislimi.
Nxënësit e shkollave fillore nuk kishin vërejtur ndonjë gabim, por sipas tyre testimi në lëndën e matematikës ka qenë i vështirë.
“Kam hy në test në lëndën e matematikës, ka qenë i vështirë, por e kam kaluar.”- u shpreh një nxënës i shkollës fillore.
“Kam qenë në matematikë. Pyetjet nuk kanë qenë të lehta, por të paqarta.”- theksoi një nxënës i shkollës fillore.
“Në testin në gjuhën shqipe kam kaluar shumë mirë. Kanë qenë gjithsej 30 pyetje dhe s’kam vërejtur asnjë gabim.”- tha një nxënëse e shkollës fillore.
“Jam testuar në matematikë dhe ka shkuar gjithçka në rregull. Pyetjet kanë qenë të gjitha të qarta.”- potencoi një nxënëse.
Për shkak të regjistrimeve në shkollat e mesme rezultatet e testimit ekstern fillimisht do të publikohen për nxënësit e klasave të nënta më 13 qershor, ndërsa për nxënësit e tjerë rezultatet do të publikohen më 17 qershor.
REJHANE BUSHI-METAJ
