Kociançiq: KE përshëndet tërheqjen e faljes, Maqedoninë e pret ende shumë punë

07.06.2016 16:10

Komisioni Evropian ka përshëndetur vendimin e mbrëmshëm të presidentit Ivanov për tërheqjen e të gjitha vendimeve për falje...

Komisioni Evropian ka përshëndetur vendimin e mbrëmshëm të presidentit Ivanov për tërheqjen e të gjitha vendimeve për falje, por, sipas vlerësimit të BE-së, ky është vetëm një hap drejt realizimit të shumë obligimeve që duhet t’i realizojë vendi. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kociançiq.

Sipas saj, tani autoritetet duhet në mënyrë intensive të përkushtohen në realizimin e reformave prioritare urgjente.

“Shumë kohë është humbur dhe tani është më se urgjente dhe e nevojshme që liderët politik të ulen në tavolinë për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës në mënyrë inkluzive. Është i nevojshëm aksion rapid për realizimin e reformave prioritare, që përshin edhe zgjedhjet kredibile, me qëllim që vendi të shkojë në drejtim të duhur drejt sundimit të së drejtës dhe rrugës eurointegruese. Është e qartë se është bërë një hap, por shumë punë duhet të bëhen akoma, ndërsa Marrëveshja e Përzhinës është thelbi.”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq.                                                                           

Anulimi i përgjithshëm i vendimit të presidentit Ivanov për falje hap rrugën e drejtësisë dhe punën së mirëfilltë të Prokurorisë Speciale Publike, vlerëson euroambasadori, Aivo Orav.

“Faljet edhe më shumë e thelluan krizën politike dhe fatkeqësisht shkaktuan vonesa në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës si dhe në punën e Prokurorisë Speciale. Dua të rikujtoj se mandati i PSP-së për të kryer punë është vetëm 18 muaj. Shpresoj se drejtësia do të sundojë dhe mosndëshkimi nuk do të diskutohet më.”- tha euroambasadori, Aivo Orav.

Edhe zyra e OSBE-së në Shkup përmes një reagimi të shkurtër thotë se pas këtij hapi të presidentit Ivanov drejtësia do të mund të gjejë zbatim. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)