Arrestimet në universitetin e Shkupit, padi penale për mitmarrje për gjashtë profesorë

07.06.2016 16:20

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur gjithsej tetë padi penale për mitmarrje kundër gjashtë profesorëve të fakultetit ekonomik...

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur gjithsej tetë padi penale për mitmarrje kundër gjashtë profesorëve të fakultetit ekonomik, ndaj një asistenti dhe një përgjegjësi të lokalit në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Ministri Çavkov informon se të gjithë të dyshuarit gjatë vitit 2015 dhe 2016 disa herë kanë kryer vepër penale duke u kërkuar studentëve drejtpërsëdrejti para për t’i kaluar në provim dhe kanë shënuar nota më të larta në indeks pa i merituar të njëjtat. Shuma e mitmarrjes së profesorëve ka lëvizur prej 500 deri më 1 mijë euro, por ka pasur raste edhe kur studentët pa i paraqitur fare provimet janë nënshtruar dhe madje i kanë marrë provimet, sqaron Çavkov.

“I gjithë procesi ka qenë i përpunuar në atë mënyrë që pronari i lokalit të universitetit ka qenë i detyruar t’i marrë paratë drejtpërsëdrejti nga studentët dhe më pas të njëjtat t’i dorëzojë te asistenti, i cili ai më pas të hollat ua ka dorëzuar profesorëve me qëllim që ata të shënojnë notë kaluese gjashtë në indekset e studentëve. Të gjithë të dyshuarit për të cilët janë mbledhur dëshmi, për t’u dhënë nota kaluese studentëve kanë kërkuar prej 500 deri më 1.000 mijë euro.”- deklaroi ministri i Brendshëm, Mitko Çafkov.

Tetë të dyshuarit janë të moshës prej 29 deri më 65 vjeç dhe të gjithë ata po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, “pranim dhe dhënie të mitos” dhe “ndërmjetësim të paligjshëm”.

Sektori për Krim të Organizuar dhe Korrupsion pranë Prokurorisë Publike ka njoftuar se përveç kryerjes së disa padive penale për mitmarrje, disa të dyshuar po akuzohen se kanë kërkuar shërbime seksuale prej studentëve për t’i kaluar në provim.

Gjatë aksionit të djeshëm “Erasmus” janë  kryer 13 bastisje nëpër shtëpi dhe zyra dhe janë sekuestruar një celular iphone 6, 17 dosje të veçanta të studentëve, katër indekse dhe një regjistër i veçantë me emra, mbiemra dhe numra amë të studentëve. (Rexhep Qamili, TVM2)