Maqedoni

Në Hotël të Likovës përkujtohet Beteja e Mateçit

07.06.2016 17:13

Në fshatin Hotël të Likovës është përkujtuar beteja e lavdishme e luftëtarëve të ish UÇK-së me pjesëtarët e Forcave maqedonase të Sigurisë në Mateç...

Në përkujtim të kësaj beteje të lavdishme, në tubimin përkujtimor në Hotël, me moton “Çlirimi i Karadakut të Kumanovës”, kishin ardhur anëtarë të familjeve të dëshmorëve, ish-luftëtarë, përfaqësues të lartë qeveritarë, deputetë e mysafirë të tjerë.
 
Beteja e Mateçit përgjithmonë do të mbetet si një ndër momentet më të rëndësishme të kombit tonë, tha ndër të tjera, Minir Ademi, në referatin e tij kushtuar Betejës së Mateçit.
 
“Ushtarët e UÇK-së deri sa përgatiteshin për ta festuar fitoren, forcat e armikut në largim kishin minuar stacionin policor dhe gjatë vëzhgimit të terrenit në pjesën e stacionit policor, konkretisht më 6 qershor të vitit 2001, ranë dëshmorë: Labinot Krasniqi, Faik Ibrahimi dhe Isa Ahmeti. Këta ishin trimat që i rrëmbeu lufta e Mateçit gjatë eksplodimit të stacionit policor.”- deklaroi historiani, Minir Ademi.
 
Ndërkaq, Fatmir Limani nga SHVL- UÇK u bëri apel kryetarëve të të gjitha komunave shqiptare, të vijnë në Sllupçan e vendbanimet e tjera të kësaj zone për t’i përkujtuar dëshmorët e rënë, sepse falë gjakut të tyre ata sot gëzojnë lirinë dhe postet e tyre të larta institucionale.
 
“Në shënimet e përvjetorëve përkujtimorë të kësaj ane në të kaluarën dhe sot nuk kam parë dhe nuk shoh përfaqësues të komunave nga Struga, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi, komuna të cilat shijojnë të mirat e lirisë të sjellë dhe të falur nga gjaku i dëshmorëve të derdhur në këtë anë, të shpresoj se në përvjetore të tjera edhe ata do të na bashkëngjiten dhe do të vetëdijesohen se lufta e këtushme dhe e djemve të mbarë hapësirave shqiptare u solli lirinë dhe pozitat të cilat i shijojnë ata. Nga këtu ua bëjmë me dije të gjitha komunave të udhëhequra nga shqiptarët që t’i drejtojnë sytë nga Sllupçani kah Kumanova në tërësi, që një hise të projekteve të tyre t’ia ndajnë Kumanovës, t’ia ndajnë Sllupçanit dhe me këtë më ndjeshëm t’i kuptojmë këta.”- tha Fatmir Limani nga SHVL–UÇK.
 
Pas manifestimit të gjithë të pranishmit me vënien e luleve të freskëta bënë homazhe tek Kompleksi i varrezave të dëshmorëve në fshatin Hotël.
 
NEXHAT AQIFI