Maqedoni
Hajndëll në Shkup, qeveria kalimtare në fokusin e takimeve
07.06.2016 17:59
I dërguari special për Maqedoninë, Johanes Hajndëll, nisi takimet me liderët e partive politike në vend...

Në përpjekje për t’u tejkaluar kriza politike, Hajndëll fillimisht takoi liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, presidentin, Gjorge Ivanov, dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin.
Jozyrtarisht thuhet se Hajndëll, pas tërheqjes së tërësishme të faljeve nga presidenti Ivanov, është fokusuar në formimin e një qeverie kalimtare, e cila do të realizonte zgjedhjet me qëllim që vendi të dalë nga status quo-ja aktuale. Nuk përjashtohet mundësia që në fokus të takimeve të ketë qenë ristartimi i procesit të bisedimeve midis katër liderëve politik.
Megjithatë, se çfarë i ka porositur deputeti special gjerman aktorët politik të vendit do të mësohet nesër në një konferencë për media.
Paraprakisht, Hajndëll nesër do të takojë ndaras edhe liderët shqiptarë, atë të BDI-së, Ali Ahmetin, dhe PDSH-së, Menduh Thaçin, për të dëgjuar edhe opinionin e tyre mbi gjithë situatën e krijuar në vend.
Para se të ikë nga Maqedonia, Johanes Hajndëll do të takojë edhe prokuroren speciale, Katica Janeva, për të inkurajuar këtë institucion, i cili, sipas politikës gjermane, nuk duhet bërë obstruksione.
Maqedonia brenda këtyre dy ditëve është në fokusin edhe të politikës së jashtme gjermane. Nesër Komisioni për politikë të jashtme të Bundestagut gjerman me dyer të mbyllura do të debatojë për situatën politike në vend.
MERAL ISMAILI
