Botë
Koreja e Veriut riaktivizon reaktorin bërthamor, paralajmërohen sanksione
07.06.2016 20:35
Koreja e Veriut ka riaktivizuar reaktorin e saj bërthamor që gjendet në Jongbon. Lajmi është përcjellë nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, e cila i referohet informacioneve të grumbulluara nga satelitet...

Ky reaktor është përdorur gjithmonë nga Pheniani për prodhimin e plutonit, element i nevojshëm kimik për të zhvilluar programe bërthamore. Fillimisht punimet në Jongbon u ndërprenë në vitin 2007 dhe rifilluan gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, kjo është hera e parë që ndërkombëtarët konfirmojnë riaktivizimin e reaktorit.
Me këtë veprim Koreja e Veriut rrezikon sanksione të tjera. Më datë 6 janar të këtij viti, Pheniani kreu një testim të katërt të armëve bërthamore, e më pas lancoi një satelit. Përgjatë javëve të fundit koreano-veriorët kanë kryer edhe teste të raketave balistike, duke nxitur reagimin e ndërkombëtarëve.
Nga ana tjetër, duke folur nga Pekini ku ndodhej në një vizitë zyrtare, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë të vendosura që të zbatojnë plotësisht sanksionet e vendosura ndaj Koresë së Veriut. Ai bëri edhe njëherë thirrje që Pheniani të respektojë rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe të ndërpresë programet nukleare./Ora News
