Maqedoni

Halimi nisi fushatën në Çair

25.03.2014 18:19

Jam i bindur se nuk do t’ju zhgënjej, pasi unë mendoj se ka ardhur momenti që të zgjidhet një kryetar shqiptar...

Jam i bindur se nuk do t’ju zhgënjej, pasi unë mendoj se ka ardhur momenti që të zgjidhet një kryetar shqiptar. Kështu u shprehur para simpatizantëve të Partisë Demokratike Shqiptare, kandidati presidencial  Iljaz Halimi, gjatë promovimit të tij në Çair. 
 
Me moton “Për presidentin shqiptar”, kandidati për president nga radhët e PDSH-së, Iljaz Halimi, kërkoi nga qytetarët që me datë  13 prill, të dalin masovikisht në votime, për të dhënë mbështetje për të vetmin kandidat shqiptar për president shteti. 
 
Ne kemi votuar edhe për Gligorovin edhe për Trajkovskin edhe për Ivanovin, besoj se edhe maqedonasit do ta japin provimin dhe do t’i thyejnë barrierat ndëretnike,  kështu që kanë shansin që të më përkrahin mua dhe në këtë mënyrë të kenë një kryetar shteti i cili do të tërheq edhe simpatitë e faktorit ndërkombëtar, tha kandidati për president i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi. 
 
Kandidati i mundshëm për president shteti i PDSH-së, para qytetarëve të  Çairit u zotua se në rast se ai fiton, do të jetë president i të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare, nuk do të lejoj punësime në baza partiake, do të angazhohem maksimalisht për përfaqësim të drejt dhe adekuat, nuk do të përkrah politika të njëanshme, si dhe do të punoj në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë dhe debllokimin e rrugës drejt familjes evropiane. 
 
Kandidati për president i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, në tubimin e djeshëm në Çair të Shkupit, përveç tjerash u përqëndrua edhe në angazhimin e tij në sferën  e përmirësimit të gjendjes ekonomike në vend. Do të përqëndrohem në zhvillimin ekonomik të domosdoshëm, veçmas për viset tona të pazhvilluara dhe të lëna pas dore, do të angazhohem për investime të  barabarta në të gjitha rajonet dhe qytetet, fuqishëm do tu kundërvihem tendencave për favorizime ekonomike në baza etnike siç po ndodh me Shkupin që e ndan Ura e Gurit, ky është një program që mund të realizohet, vetëm duhet të më jepet mundësia. Mundësia jeni ju, janë qytetarët që me votën e bashkuar me 13 prill, mund ta bëjnë këtë program realitet, tha kandidati i vetëm shqiptar i cili do të garojë në zgjedhjet presidenciale, Iljaz Halimi.  
 
“Unë në pika të shkurta do t’ju njoftoj me programin tim se për ç‘farë do të angazhohem, nëse zgjidhem kryetar shteti. Unë maksimalisht do të punoj, që me sukses ta përfaqësoj vendin brenda dhe jashtë, do të jem kryetar shteti i të gjithëve pa dallim përkatësie etnike dhe fetare. Asnjëherë nuk do t’i përkrah politikat e njëanshme mbi baza etnike dhe fetare, që do të shkaktonin ndasi dhe përçarje. Çdoherë do t’i paraqes qëndrimet e mia në lidhje me çështjet e hapura, me bindje që ato të zgjidhen drejt dhe me sukses. Për çdo shkelje të kushtetutës dhe ligjeve, ku mund të dëmtohen qytetarët, reagimi do të jetë i menjëhershëm. Çdo ligj që do të kalon në Qeveri dhe Parlament, që vlerësoj se mund të cënon interesat, do të reagoj në të mirë të korrigjimit të tij. Për çdo propozim që do të bëj për anëtarë të Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor, si dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, do të merret parasysh përfshirja e drejtë dhe proporcionale e shqiptarëve dhe të tjerëve. Do ta shfrytëzoj të drejtën time për lirimin nga burgu i R.M.-së, ata shqiptarë dhe të tjerë për të cilët do të konstatoj se pa të drejt janë dënuar. Si komandant i Forcave të Armatosura, vëmendje do t’i kushtoj ARM-së, që ajo të jetë e modernizuar dhe t’i ketë të gjitha kushtet për të qenë e suksesshme në misionet e saj. Në ARM nuk do të lejoj punësime me ndikime partiake. Nuk do të lejoj që në njësitë për intervenime të shpejta dhe strukturat tjera, të mos ketë asnjë shqiptar, si dhe pjesëtar të pakicave tjera. Sa i përket politikës së jashtme, do të angazhohem për politikë të fqinjësisë së mirë, prioritet do të jetë zgjidhja e kontestit me Greqinë për emrin dhe debllokimi i proceseve eurointegruese”, deklaroi kandidati për president, Iljaz Halimi nga PDSH. 
 
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi,  gjatë fjalimit të tij  para simpatizantëve të kësaj partie në Çair, përveç që promovoi kandidaturën e mundshme për president të Iljaz Halimit, sqaroi se kanë dalë me kandidat presidencial për të mos e lënë vendin bosh, për të rrëzuar poshtë teorinë se në Maqedoni s’ka shqiptar, si dhe për të dëshmuar se shqiptarët mund të arrijnë të marrin këtë post. 
Thaçi ftoi të gjithë qytetarët, që me 13 prill të dëshmojnë forcën e votës shqiptare dhe të votojnë për kandidatin e vetëm shqiptar, i cili do të garojë në zgjedhjet presidenciale..  
 
“Kjo forcë e madhe elektorale, kjo mbështetje e madhe e shqiptarëve, jep një mesazh se duhet të ndryshojë situata në vend. E kam edhe moshën edhe dijen, por  edhe guximin që të bëj ndryshime, ju do të jeni të sigurt se këto vota nuk do të shkojnë kot”, theksoi gjatë promovimit të kandidatit presidencial, kreu i PDSH-së, MenduhThaçi. 
 
“Ja tash edhe arsyen pse ne dalim me kandidat në këto zgjedhje presidenciale. Për shkak se nuk guxojmë ta lëmë vendin bosh, nuk guxoj që të mundësojmë, teoritë e të tjerëve se këtu s’ka shqiptarë, se këtu s’ka pretendim për postin e presidentit. Kjo është shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme, të shkojë si porosi edhe te bashkësia ndërkombëtare. Të vetëdijshëm se me këto kapacitete të votave që i kanë shqiptarët dhe jo maqedonasit e tjerë, vështirë e kemi ta fitojmë këtë post, por unë u premtoj se këto vota dhe kjo mbështetje e fortë që do të jepet për profesorin Iljaz Halimi, çështja dhe problemet e shqiptarëve ka shans të zgjidhen para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale”, shtoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
“Ditëve të fundit është rritur tensioni midis BDI dhe PDSH, por unë them se anëtarët e BDI-së nuk janë armiqtë tanë, ata janë shqiptarë si ne. Ne bëjmë politikë modern dhe civilizuese dhe për të bërë këtë duhet që dy njerëzit kryesor, unë dhe Ahmeti, të bëjmë politikë dhe t`i shpjegojmë popullit. Unë mundohem që ta bëj këtë, por pyes publikisht se pse merret me politikë Ahmeti dhe pse u krijua BDI. Ai merret me politikë, sepse është vetëm kundër Menduh Thaçit dhe PDSH-së. Ndërsa PDSH nuk u krijua për të rrëzuar BDI-në”, theksoi lideri i PDSH-së Thaçi, duke adresuar kritika të ashpra drejt BDI-së në krye me  Ali Ahmetin dhe Nikolla Gruevskit me VMRO-DPMNE-në. 
 
Nga Partia Demokratike Shqiptare, publikisht pyetën se pse Bashkimi Demokratik për Integrim nuk bojkoton Qeverinë, politikën e VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit dhe pse nuk  bojkoton zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por bojkoton zgjedhjet presidenciale. 
 
Thaçi më tej kërkoi nga partia e integristëve, që t’i shpjegon popullit se pse kur është në pyetje VMRO-DPMNE-ja dhe interesat e saj, BDI nuk flet aspak, pse kjo parti nuk ndërmerr asgjë kur bëhet fjalë për cënimin e interesit shqiptar. Duke kërkuar dhe ftuar që partitë më të vogla të bashkohen me PDSH-në dhe të votojnë kandidatin e vetëm shqiptar për president, Iljaz Halimin, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare theksoi se muslimanizmi në Maqedoni mbrohet vetëm duke mbrojtur  në radhë të parë shqiptarizmin dhe vetëm nëpërmjet përfaqësimit  të drejtë të idesë shqiptare.
 
Ndërsa gjatë qeverisjes së VMRO- DPMNE-së dhe BDI-së, kjo ide nuk është realizuar aspak, prandaj jemi shumë të pakënaqur ndaj politikave të Gruevskit, por tmerrësisht jemi të pakënaqur nga qeverisja dhe politika e BDI, deklaroi kreu i PDSH-së. (Sanije Kasami, TVM2)