Kuvendi nuk e pranoi interpelancën e Ollga Najdenovskës
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë mbrëmë vonë e hodhi poshtë propozimin për interpelancën për kryetaren e Komisionit kuvendor për arsim dhe shkencë Ollga Najdenovska...

Për propozimin për interpelancën e parashtruar nga opozita votuan 28 deputetë, ndërsa kundër ishin 52 deputetë.
Me interpelancën kërkohej shkarkim i Najdenovskës, sepse, siç vlerësojnë deputetët nga opozita, e ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të RM-së gjatë debatit të komisionit për Propozim-ligjin për themelim të Universitetit për mbrojtje, siguri dhe paqe kombëtare "Damjan Gruev" në Shkup.
Gjatë debatit deputetët opozitarë i vërejtën Najdenovskës se "vullnetarisht e ka interpretuar Rregulloren e Kuvendit, ka tentuar të realizojë votim për disa amendamente pa u dhënë të drejtë parashtruesve që t'i elaborojnë, ndërsa deputetëve të tjerë të debatojnë për to".
Sipas Najdenovskës, interpelanca për punën e saj si kryetare e Komisionit për arsim, shkencë dhe sport, është e pabazë, nuk mund të sillet në pikëpyetje puna e saj dhe nuk ka shkelje të kurrfarë normave juridike. Ajo theksoi se në asnjë moment nuk është shkurtuar kohëzgjatja e diskutimeve të asnjërit deputet, ndërsa aq më pak i është marrë e drejta e vërejtjes procedurale.
Për deputetët e shumicës, qëllimi i grupit të deputetëve të LSDM-së është që të bëjë bllokada që të mos ndryshojnë gjendjet në arsim. Ata theksuan se ideja me Universitetin e ri është që të vendoset konkurrencë në arsimin e lartë dhe të ketë dy fakultete ekonomike, juridike dhe të mjekësisë. (mia.mk)
