Maqedoni
Hajndëll me porosi të qartë: Marrëveshja e Përzhinës, zgjidhja e vetme e krizës (UPDATE)
08.06.2016 11:41
Për tejkalimin e krizës, aktorët politik të vendit do të duhet t’i rikthehen Marrëveshjes së Përzhinës...

Ishte kjo porosia e të dërguarit special për Maqedoninë, Johanes Hajndëll, pas realizimit të një serie takimesh me liderët politik të vendit. Sipas Hajndëllit, liderët politik do të duhet që prioritet të kenë interesat shtetërore përpara atyre politike.
“Lajmi i mirë është se ka dalje nga kriza politike, dhe kjo është Marrëveshja e Përzhinës, parimet e së cilës ndërtojnë rrugën drejt demokracisë, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik. Lajmi i keq është se ky proces po stërzgjatet, kriza vazhdon të dëmtojë vendin dhe, sinqerisht, koha po kalon. Andaj, porosia ime ishte të reformohet dhe revitalizohet Marrëveshja e Përzhinës si një kornizë reformuese.”- deklaroi i dërguari special, Johanes Hajndëll.
Hajndëll ka përshëndetur vendimin e presidentit, Gjorge Ivanov, për tërheqjen e tërësishme të faljeve, ndërkaq ka rikujtuar partitë politike për obligimet që duhet kryer.
“Së pari, partitë duhet të dakordohen për datën e zgjedhjeve dhe krijojnë kushte për zgjedhje të lira dhe fer. Prioriteti i dytë ka të bëjë me punën e prokurores speciale. Ajo duhet të punojë pa kurrfarë obstruksione në mandatin e saj. Dhe e treta është që partitë do të duhet të dakordohen për zbatimin e reformave prioritare të Raportit të PRIBE-së.”- tha Hajndëll.
Hajndëll është takuar tashmë me të gjithë liderët e partive politike. Në takimin me liderin e BDI-së, Ahmetin, siç njoftojnë nga kabineti i tij, është diskutuar për tërheqjen e faljeve nga ana e kreut të shtetit.
“Lideri i BDI-së , Ali Ahmeti, konsideron që tërheqja e tërësishme e faljeve nga Ivanov mundëson dialog për përpilim dhe miratim të reformave prioritare. Partitë politike duhet të angazhohen për miratimin e ligjeve dhe plotësimin e kushteve për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare, si dhe të mbështesin Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe Prokurorinë Speciale që ta bëjnë punën e vet të përcaktuar me ligj.”- ka deklaruar Ahmeti në takim, sipas komunikatës partiake.
Por, lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, u shpreh pesimist për ringjalljen e Marrëveshjes së Përzhinës dhe uljen e liderëve politik në tryezën e bisedimeve.
“Tentimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe tani i emisarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta rikthyer në jetë Marrëveshjen e Përzhinës është një tentim që unë dyshoj se do të rezultojë me ndonjë sukses dhe rezultat. Kjo do të jetë shumë e vështirë për shkak se insistimi që ne të bisedojmë dhe të merremi vesh në mënyrë selektive për çështjet e Marrëveshjes së Përzhinës për PDSh-në është i papranueshëm. Ne kërkojmë një dialog gjithëpërfshirës, ku të gjitha palët do të paraqesin kërkesat dhe qëllimet e veta dhe në kuadër të kësaj të gjejmë një zgjidhje.”- theksoi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
I dërguari special, Johanes Hajndëll, po e viziton Maqedoninë për herë të tretë pas marrjes së detyrës në përpjekje për të zhbllokuar krizën politike në vend, që për Gjermaninë paraqitet mjaft shqetësuese.
MERAL ISMAILI
