Maqedoni
BDI, tubim në Kërçovë me moton “Jo president të njëanshëm”
25.03.2014 18:23
BDI ka filluar në Kërçovë fushatën me moton “Jo presidentit të njëanshëm”. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmet...

BDI ka filluar në Kërçovë fushatën me moton “Jo presidentit të njëanshëm”. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të vendit të jenë të unifikuar për qëllimet dhe interesat kombëtare.
BDI ofron konsezus përmes dy komuniteteve më të mëdha, me qëllim që të zgjidhet presidenti në mënyrë demokratike dhe legjitime, tha Ahmeti në Kërçovë, duke theksuar se presidenti i shtetit nuk duhet të jetë me doemos shqiptarë, por duhet të jetë figurë e cila do t’i bashkojë të gjitha etnitet në Maqedoni.
“Ne sot fillojmë nga ky vend, ku një vit më parë korrëm një sukses, një fitore të shumë pritur të shqiptarëve dhe nga ky vend apeloj që ne duam një president që merremi vesh të gjithë bashkë dhe nuk do votojmë një president të njëanshëm, ne nuk jemi polici që të vëzhgojmë qytetarët, ne thirrëm qytetarët t’i bashkohen idesë sonë, ne nuk kemi kandidat për të vetmen arsye, sepse kemi dashur një kandidat që merremi vesh, palët që kanë legjitimitet. Është një ide e përpunuar gjatë, është një ide gjatë e menduar, përse, se këtij vendi i duhet një president që do përfaqësojë të gjithë qytetarët, përse këtij vendi i duhet një figurë që do të unifikojë dhe përfaqësojë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Përse shqiptarët nuk janë bartës të këtij sovraniteti, përse shqiptarët nuk janë përgjegjës të këtij shteti? Sigurisht që janë dhe ne duhet të demonstrojmë fuqinë tonë, që ky vend është edhe i yni, që ky vend nuk i takon vetëm një pale, asnjë ane, por na takon ne të gjithëve, nuk themi domosdo një shqiptarë, jo domosdo një figurë që i bashkon të gjithë, domosdo një njeri që merremi vesh të gjithë sigurisht”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Modeli i BDI-së për zgjedhjen e presidentit konsezual, është praktik edhe në Zvicër, Gjermani, Estoni, Itali, Hungari, Lituani dhe shumë të vende të tjera dhe shkon në favor të përforcimit të demokracisë në vend, theksuan Musa Xhaferi dhe Abdylaqim Ademi.
“Bashkimi Demokratik për Integrim, do të promovojë modelin dhe idenë e cila u jep të drejtë në vendimmarrje të gjitha etniteteve, gjegjësisht ofron një konsezus në mes dy komuniteteve më të mëdha, bashkësisë etnike maqedonase dhe bashkësisë etnike shqiptare, për zgjedhjen e presidentit të vendit si funksion i cili ndërton kohezionin dhe promovon kohezionin e brendshëm përpara faktorin ndërkombëtar”, theksoi Musa Xhaferi.
“Kërçova e këtij viti është shembull më i mirë i konceptit pozitiv i Bashkimit Demokrati për Integrim, konceptin e konsezualitetit dhe të avancimit e të drejtave të shqiptarëve dhe menaxhimit të institucionit të vendit, kjo dëshmon se ky koncept nuk sjell asnjë të keqe për të tjerët dhe të shoqëron, përkundrazi u treguam të gjithëve se kërçovarët bashkëjetojnë pa asnjë problem në Kërçovën e bashkuar”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.
Nga Kërçova, krerët e lartë të BDI-së, informuan se konventa zgjedhore e kësaj partie për promovimin e listës se kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të mbahet më 3 prill në Shkup. (Rexhep Qamili, TVM2)
