Clinton hyn në histori, e para grua në garën për presidente të ShBA-ve

08.06.2016 14:21

Kandidatja demokrate në garën presidenciale, Hilary Clinton, ka shpallur fitoren e saj gjatë një takimi me mbështetësit në New York....

Ish-sekretarja e Shtetit e cilësoi këtë një moment historik për Shtetet e Bashkuara, pasi për herë të parë një grua do të garojë për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë.

“Falë jush kemi arritur një moment historik. Për herë të parë në historinë e kombit tonë një grua do të jetë e nominuara e një prej partive kryesore dhe do të garojë për të qenë presidente e Shteteve të Bashkuara.”- deklaroi kandidatja demokrate për presidente të ShBA-ve, Hilary Clinton.

Kandidati, Bernie Sanders, nuk arriti që të sigurojë një rezultat pozitiv as në zgjedhjet e Kalifornisë, shtet i cili ishte konsideruar si shpresa e tij e fundit.

Megjithatë, pavarësisht të gjithë shanseve që janë kundër tij, Senatori i Vermontit ka ribërë thirrje që mbështetësit të mos dorëzohen deri në konventën partiake që do të mbahet në muajin korrik. Sanders është penalizuar më së shumti për shkak të të ashtuquajturve “superdelegatët”.

Këta të fundit janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe kanë të drejtë të mbështesin cilindo kandidat. Deri më tani, Clinton ka arritur që të fitojë mbështetjen e 571 superdelegatëve, kundrejt vetëm 48 që i kanë premtuar mbështetje Sanders.

Megjithatë, superdelegatët nuk kanë të drejtë të votojnë zyrtarisht deri në konventën e muajit korrik. (Gazmend Kurtishi, TVM2)