Fondi Shëndetësor: Edhe 80 emërtime të reja në listën pozitive

08.06.2016 14:31

Fondi Shëndetësor do të pasurojë listën e barnave edhe me 80 emërtime të reja të mbrojtura në kuadër të gjenerikëve që ekzistojnë në listën pozitive...

Kjo do të thotë se nga 11 qershori do të ketë 4% më shumë barna për të siguruarit.

Numri i përgjithshëm i barnave që ofrohen për të siguruarit nga prodhuesit e ndryshëm është 2 mijë e 10 barna, ose 52% nga numri i barnave të regjistruara në nivel shtetëror, thonë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.

“Lista parësore të shpërndara nëpër të gjitha 774 barnatoret do të emërtohet edhe me 57 barna, të cilat do të shfrytëzohen për dhimbje të lukthit, diabetit, zvogëlimin e nivelit të sheqerit në gjak, sistemit kardiovaskular, tensionin e lartë të gjakut, epilepsinë, sëmundjen e parkinsonit, proceset inflamatore, dhimbjet, prostatës, reumës, alergjive, si dhe sistemin nervor.”- deklaroi drejtori i FSSh-së, Orhan Ramadani.

Vetëm për katër muajt e parë të vitit 2016 grupet e barnave të listës parësore i kanë shfrytëzuar 429 .414 të siguruar përmes 1 milionë e 655 recetave të realizuara. Vlera që  ka paguar Fondi është 169 milionë e 64 mijë denarë.

Buxheti i Fondit për barnat e kujdesit parësor shëndetësor për vitin 2016 është 2,5 miliardë denarë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)